PROFIL/ Si u rrëzua Ilir Beqaj

PROFIL/ Si u rrëzua Ilir Beqaj

Ilir Beqaj

TIRANË- Ish-ministri Ilir Beqaj u arrestua mëngjesin e të kësaj të enjteje (04 korrik 2024), me urdhër të Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, disa muaj pasi SPAK e kishte vendosur nën hetim për abuzim me fondet e BE në kohën kur drejtonte SASPAC.
SPAK e akuzon ish-ministrin për abuzim me një rrjet të besuarish të tij me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës që ka drejtuar SASPAC, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, një agjenci e krijuar nga qeveria Rama 2 në dhjetor të vitit 2021 me drejtor ish-ministrin e Shëndetësisë, i cili pas largimit nga kabineti ishte lënë në hije. 
Në fakt aktiviteti politik i Beqajt në Partinë Socialiste dhe në qeverisje kishte nisur shumë më herët dhe sot paralelisht me çështjen për të cilën ai është arrestuar, SPAK gjithashtu vazhdon hetimin për dhënien e koncesionit të sterilizimit, një çështje me vlerë 100 milionë euro, ku Beqaj akuzohet se favorizoi mikun e tij biznesmenin Ilir Rrapaj, një emigrant i cili kapërceu trampolinën dhe mori 100 milionë euro PPP për shërbimet e sterilizimit në spitalet e vendit.
Beqaj e nisi karrierën politike si deputet në vitin 2009, si përfaqësues i PS në Shkodër. Në 2013, ai garoi në Durrës duke e fituar sërish ulësen në Kuvend dhe nisi ngjitjen në qeveri, kohë kur socialistët të sapoardhur në pushtet zgjodhën Beqajn si ministrin e parë të Shëndetësisë në 3 qeveritë që do të pasonin. 
Intech +, biznesi që zgjoi dyshimet për Beqajn
Kjo kompani ishte “thembra” e Akilit për ish-zyrtarin e lartë, edhe pse pak kush e mban mend, që për shkak të Intech +, Gjykata Kushtetuese në vitin 2011, i dogji mandatin pasi e quajti shkelje faktin që kjo kompani kishte fituar fonde publike nga bashkia e Durrësit, në kohën që ai ishte deputet. Më shtator të vitit 2013, Beqaj i shiti aksionet e tij 51% për 180 mijë euro, te miku i tij Sokol Sinani edhe pse kompania gëzonte fitim financiar.
Gjatë kohës që Beqaj ishte ministër, opozita e akuzonte për një sërë tenderash selektivë dhe korruptivë që i jepeshin kompanisë që ishte krijuar prej tij. Kjo kompani kishte fituar nga tenderimet publike mbi 11 milionë dollarë, ndërkohë që aktualisht është kompania e preferuar e AKSHI-t, Agjencisë Kombëtare Shtetërore të Informacionit.
Gjatë kohës që ai ishte ministër, firmosi dhënien e tre koncesioneve shumë të debatuar me një vlerë të përbashkët prej 29.7 miliardë lekësh (212 milionë euro).
Në mars të vitit 2017, kur fushata elektorale kishte filluar dhe socialistët kishin ndezur motorin për mandatin e dytë nën moton “timonin për vete jo për LSI”, Beqaj u shkarkua bashkë me 3 ministrat e tjerë, Saimir Tahiri, Blendi Klosi dhe Bledi Çuçi.
Arsyeja që u bë publike nga Rama atëherë lidhej me përgatitjen e fushatës elektorale, edhe pse kritikët e lexuan si një pretekst për shmangien nga qeverisja në mandatin e dytë dhe plotësim i kërkesave që kishte listuar opozita në çadër.
Por edhe pse socialistët fituan mandatin e dytë, sërish për Beqajn nuk pati një post në kabinet. Humbjen e vëmendjes politike ish-ministri e kanalizoi në investimet e biznesit, ndërkohë që vazhdonte angazhimin politik si drejtues politik në Shkodër. Në 2018, bashkëshortja e tij hapi restorantin e njohur si Gzona, një restorant i vendosur në rrugicën pedonale brenda sarajeve të familjes Toptani në qendër të Tiranës. Pikërisht, ky restorant, i frekuentuar nga njerëzit më të pushtetshëm të kryeqytetit, u bë indicia e parë për prokurorët e SPAK, se pas artit të kuzhinës, në “dollapin” e ish-ministrit ndodhej një skelet i mbushur me fatura fiktive për të rritur kostot e fondeve që vinin nga programet e ndihmës së BE.
Paralelisht me restorantin, në 2019, Adriana Beqaj hapi në Sarandë  “Albania Ionian Coast Olive Oil” bashkë me Renata Sinanin, një kompani që ka si objekt mbjelljen dhe kultivimin e pemëve të ullirit dhe prodhimin e vajit të ullirit me qëllim eksportimi.
Bizneset po ecnin mirë, politika gjithashtu, institucionet e reja të drejtësisë ende nuk ishin konsoliduar. SPAK ishte ende larg. Kohë të mira për Beqajn.
Në vitin 2021, ai ndo të emërohej në krye të SASPAC dhe aty do të niste një aferë e re, e lidhur sërish me biznesin e “vjetër” të ish-ministrit, restorantin Gzona.
Ndërkohë që Beqaj mbrohet duke thënë se bashkëshortja e tij e ka shitur restorantin në vitin 2020 dhe që prej asaj kohe, familjen e tij nuk e lidh më asgjë me këtë biznes, SPAK  pretendon që jo, dhe e akuzon ish-ministrin se e ka përdorur si mbulesë blerësin e ri, dhe se ka përdorur mikun e tij dhe vartësin Ermal Kurtulaj që të vazhdonte përçimin e porosive për GZONA.
Restoranti Gzona është në pronësi të kompanisë “Albanian Food and Hospitality Lab”, e themeluar në janar të vitit 2019 nga bashkëshortja e ish-ministrit të Shëndetësisë, Adriana Beqaj dhe Arti Malaj.
Në mars 2019, Adriana Beqaj i fali 35% të aksioneve ortakut të saj Malaj dhe në janar 2020 i shiti atij edhe 15% të aksioneve të mbetura.  Në vitin 2022, kompania u shit tek Eduard Curraj, administrator i një distributori të madh farmaceutik, Delta Pharma.
Por edhe pse Beqaj, shiti aksonet në janar 2020, në përgjimet e SPAK (dhjetor 2023), ngrihen dyshime se ish-ministri Beqaj vazhdon të ketë interesa pasurore në restorantin Gzona. Në bisedat e dala tashmë në media, Beqaj përdor telefonin e shoferit të tij, Arben Dani për ti kërkuar Kurtulajt të bisedojë me Gazmend Prengën, administratorin e lokalit.
Tashmë pritet që me kalimin e dosjes në Gjykatë, të zbulohen edhe më shumë të dhëna për atë që pretendon Prokuroria, se ku abuzoi dhe cili ishte roli konkret i Beqajt në skemën e përvetësimit të fondeve të BE përmes faturave fiktive.
Por një tjetër episod, shënoi pikën e kthesës për kreun e SASPAC. Nisma Thurje e kallëzoi Beqajn në SPAK, një javë pas krijimit të strukturës së re, në janar të vitit 2019, për nënshkrimin e koncesionit të sterilizimit, hetim që është ende në proces dhe që shërbeu edhe si nisje për çështjen e re atë që lidhet me SASPAC dhe që e çoi Beqajn me pranga në duar te Blloku i Sigurisë në Mine Peza.
3 vite pas kallëzimit, Beqaj u thirr në SPAK për sqarime ndërkohë që më herët ishte larguar nga grupi negociator i Shqipërisë me BE. Me thirrjen në SPAK ai njoftoi dorëheqjen nga SASPAC, por nuk hezitoi të lëvizte gurët kyçë, për të emëruar në postet kyçe njerëzit që kanë lidhje me të.
Një prej tyre është edhe gruaja e vartësit të tij, Ermal Kurtulaj, Arjola Kurtulaj, e cila edhe pse i shoqi është në pranga vazhdon detyrën e saj si shefe Protokolli në SASPAC, duke qenë në një konflikt të pastër interesi.
Në korrik të vitit 2022, një përplasje e heshtur mes Yuri Kim dhe Ilir Beqajt u raportua shumë pak në media. Ambasadorja bëri një largim demonstrativ prej një takimi të organizuar nga Ministria e Brendshme në momentin kur fjalën e mori Ilir Beqaj. Largimi u reklamua në media si një “porosi” për të treguar se Beqaj nuk ishte i pranuar nga amerikanët. Pas Kim,  edhe përfaqësuesja e Sorecës bëri të njëjtin veprim duke shmangur prezencën e Beqjas në çdo takim.
Javët që pasuan më pas ishin të vështira për të. Kontrolle, thirrje me orë të zgjatura në SPAK e deri tek spektakli me leximin e materialeve për një orar maratonë e shoqëruan deri mëngjesin e sotëm, ditë kur ish-ministri u prangos dhe pret gjykimin, nën korin e thirrjeve “suksese në jetë”./ZËRI

gzona outdoor photo

1692223820 ilirrrapaj

ilirijpg

ilir beqajpng
Burimi