Problematike zona e Lezhës! 7 vatra aktive zjarri, në operacion 119 trupa të FA dhe helikopteri “Cougar”

Problematike zona e Lezhës! 7 vatra aktive zjarri, në operacion 119 trupa të FA dhe helikopteri “Cougar”

FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, në 24 orët e fundit në vend janë raportuar 23 vatra zjarri, nga të cilat 16 janë shuar dhe 7 janë akoma aktive. Për shuarjen e zjarreve u angazhuan 336 forca operacionale dhe 27 automjete. Në mbështetje të forcave në terren u aktivizuan 119 trupa ushtarake me 3 automjete zjarrfikëse dhe helikopteri “Cougar” i FA.
Zjarri është mundur të neutralizohet në disa fshatra në bashkitë: Durrës, Kavajë, Lushnje, Fier, Berat, Vlorë, Himarë Delvinë, Selenicë, Has dhe Malësi e Madhe. Ndërkohë po punohet në qarkun e Kukësit, në fshatin Surroj, ku zjarri vazhdon aktiv prej ditësh në një sipërfaqe pyjore. Në terren u angazhuan 17 forca nga strukturat vendore të bashkisë dhe 17 efektivë nga Forcat e Armatosura, të cilët kanë vënë plotësisht nën kontroll vatrën e zjarrit. Punonjësit e ADZM po monitorojnë deri në shuarjen përfundimtare.
Në fshatin Tetaj, njësia administrative Lekbibaj, bashkia Tropojë, u izolua zjarri nga forcat e strukturave vendore të bashkisë Tropojë. Aktualisht situata është nën monitorim.
Në qarkun e Shkodrës, në fshatin Mnelë e Vogël, bashkia Vau-Dejës, është riaktivizuar vatra e zjarrit. Zjarri ka marrë përmasa të mëdha në një zonë pyjore. Në vendngjarje janë angazhuar 4 automjete me 30 forca nga MZSH bashkia Vau-Dejës, Pukë, Malësi e Madhe, 2 mjete zjarrfikëse, 50 forca vullnetare, 5 forca policia bashkiake dhe 24 forca nga shërbimi pyjor.
Në qarkun e Lezhës, në fshatin Lajthizë, njësia administrative Orosh, bashkia Mirditë, ka rënë zjarr në një zonë malore me pisha dhe të pa aksesueshme nga mjetet zjarrfikëse. Zjarri ka ardhur nga shtrirja e vatrës nga fshati Arrën, bashkia Kukës po zbret në anën e fshatit Shëngjin, njësia administrative Fan me intensitet te ulet, në zonë shkëmbore pa bimësi. Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, era ka ndërruar drejtim dhe zjarri që ka marrë përmasa të mëdha rrezikon seriozisht djegien e banesave.
Në qarkun e Dibrës, në fshatin Pejkë, bashkia Dibër është evidentuar një vatër zjarri e zhvilluar në sipërfaqe me dushqe e lajthi, por që ka shtrirje territori të ndihmuar nga era dhe temperaturat e larta. Në terren janë angazhuar 8 forca me 2 mjete nga MZSH bashkia Dibër, 5 forca të njësisë administrative të cilat po vendosin zjarrin nën kontroll./ZËRI
Burimi