Prapaskenat e betimit të Fredi Belerit

Prapaskenat e betimit të Fredi Belerit

Fredi Beleri

GREQI- Mediat greke i kanë kushtuar edhe sot një rëndësi të madhe, lajmit se Fredi Beleri do të jetë në Strasburg të martën e ardhshme, për të marrë pjesë në seancën plenare të Parlamentit Evropian ku do të bëjë edhe betimin si eurodeputet.
Sipas gazetës Kathimerini, Beleri do të fluturojë për në Strasburg mëngjesin e së hënës, me një ndalesë të ndërmjetme në Athinë. Kathimerini thekson se autoritetet shqiptare, pas presioneve të shumëanshme, i kanë dhënë atij një leje pesë-ditore, në mënyrë që të shkonte në Strasburg dhe më pas të kthehet në qeli për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit, i cili përfundon në tetor.
Edhe Protothema në një artikull thekson se vendimi për lirimin e Belerit është marrë në samitin e NATO-s në Uashington, ku janë zhvilluar bisedime mes ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë.
Nga ana tjetër, në këtë samit, mediat greke raportojnë se nuk ka pasur asnjë takim mes kryeministrave Rama dhe Mitsotakis. Ashtu si Kathimerini edhe Protothema theksojnë se Athina zyrtare i ka sytë nga Himara për zgjedhjet bashkiake të 4 gushtit.

Beleri u dënua me vendim të Apelit me 2 vite burg për korrupsion zgjedhor, duke i pamundësuar atij ushtrimin e mandatit si kryebashkiak i zgjedhur në Himarë. Megjithatë pas përfundimit të dënimit, atë e pret një detyrë e rëndësishme siç është ajo e përfaqësimit të Greqisë në Parlamentin Europian, nga radhët e Partisë Demokracia e re./ZËRI 
Burimi