Posterat me fytyrën e presidentit serb, Sveçla paralajmëron: Vuçiç do të arrestohet nëse vjen në Kosovë!
posteri
KOSOVË-Në veri të Kosovës sot janë shfaqur disa posterë me fotografinë e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Posterat janë vendosur në katër komunat veriore, me mbishkrimin “Komandant suprem po të presim”. Mediat serbe raportojnë se ato janë vendosur në ndërtesa, shtëpi, lokale dhe hapësira publike.
Një reagim ka ardhur edhe nga Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili ka paralajmëruar se nëse Vuçiç është nisur drejt Kosovës pa marrë leje zyrtare, ai do të arrestohet.
“I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, shkruan Sveçla në Facebook.
Shfaqja e këtyre posterëve në veri ndodh në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të larta që nga maji i vitit të kaluar, kur kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat në veri, nisën mandatin. Tensionet u rritën edhe më shumë në shtator, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter./ZËRI
Burimi