‘Policia’, me shishe uji në dorë, ‘Operacionalja’ prangos të riun nga Puka, pjesë e trafikut të drogës në Belgjikë e Itali
Momenti i arrestimit
LEZHË- Alban Lleshi, 28-vjeç është vënë në pranga nga Forcat Operacionale, pasi vitin e kaluar Gjykata e Bolonjës, ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg ndaj tij, për trafikun e lëndëve narkotike, e kryer në kuadër të organizatës kriminale. Lleshi ka qenë pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafikimin e dogave të forta si kokainë e heroinë, nga Belgjika në Itali. Siç shihet dhe nga pamjet e shpërndara nga policia, ai ka qenë duke dalë nga ambientet e një biznesi me shishe uji në dorë, në momentin që është rrethuar dhe vënë në pranga nga Forcat Operacionale.
NJOFTIMI I POLICISË:
Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh finalizon operacionin policor të koduar “Operacionalja 15”.
Kapet në Lezhë, një 28-vjeçar i akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale në Itali, për trafikim të lëndëve narkotike.
Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera me partnerët në Itali, për vendndodhjen e një shtetasi shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 15”, kapi në Lezhë dhe vuri në pranga shtetasin A. Ll., 28 vjeç, i lindur në Pukë.
Në vitin 2023, Gjykata e Bolonjës i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale.
Gjatë muajit nëntor të vitit 2022, ky shtetas ishte pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafikimin e dogave të forta si kokainë e heroinë, nga Belgjika në Itali.
Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për ta ekstraduar këtë shtetas, në Itali.
Burimi