Po mbillnin kanabis në tokë publike, droni i nxjerr zbuluar, arrestohen vëllezërit në Malësinë e Madhe
Pamje nga vendngjarja
SHKODËR- Policia ka arrestuar 3 persona në Malësinë e Madhe, pasi po mbillnin kanabis në një tokë publike. Mësohet se në pranga kanë rënë 2 vëllezër të moshës 29 vjeç dhe 23 vjeç, gjithashtu është arrestuar edhe një 20-vjeçar, i cili po bashkëpunonte me ta.
Tre të arrestuarit janë kapur gjatë operacionit në aksin rrugor Tamarë-Shkodër duke qarkulluar me dy automjete.
“Vijojnë kontrollet dhe hetimet proaktive, në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Territor i pastër”.
Bashkëpunëtorë në kultivimin e 561 bimëve narkotike, në fshatin Fushë Zezë, vihen në pranga 3 shtetas (2 prej tyre vëllezër).
Si rezultat i hetimeve të kryera gjatë këtij muaji, me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, në vijim të megaoperacionit “Territor i pastër”, për goditjen e një rasti të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Fushë Zezë, Malësi e Madhe, u arrestuan shtetasit:
29 vjeç, 23 vjeç (vëllezër) dhe 20 vjeç.
Tre shtetasit janë kapur gjatë operacionit në aksin rrugor Tamarë-Shkodër duke qarkulluar me dy automjete.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas kanë bashkëpunuar për të kultivuar 561 bimë narkotike në tokë publike, në fshatin Fushë Zezë, të cilat janë asgjësuar nga Policia, ditën e djeshme, me anë të djegies.
Ndërsa dy automjetet e përdorura nga autorët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, njofton policia. /ZËRI
Burimi