Plagosi me armën e shërbimit Lorenc Kostën, vetëdorëzohet Erjon Goxhara
Erjon Goxhara
TIRANË-Vetëdorëzohet pas dy ditësh në arrati Erjon Goxhara. Punonjësi i policisë Goxhara qëlloi me armë zjarri 45-vjeçarin Lorenc Kosta, pasi ky i fundit dyshohet se kishte lidhje me bashkëshorten e efektivit të Policisë. Goxhara ka dorëzuar në Polici edhe armën e shërbimit me të cilën qëlloi drejtorin e ERE-s. Pas vetëdorëzimit në Polici, pritet dëshmia e Goxharës për detaje të reja dhe shkakun që çoi në plagosje.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë më datë 19.08.2024, për ngjarjen e ndodhur në afërsi të një marketi në rrugën “Tish Daija”, sot, rreth orës 17:00, është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, së bashku me armën e shërbimit me të cilën ka kryer veprën penale, shtetasi Erjon Goxhara, 46 vjeç. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Përpara se t’i zinte pritë 45-vjeçarit në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, efektivi i policisë ka pasur një takim me bashkëshorten e tij, në prani dhe të nipit. Takimi evidentohet nga prokuroria se ka ndodhur mëngjesin e datës 19 Gusht, disa orë përpara plagosjes. Goxhara dhe bashkëshortja e tij, me të cilën kishin nisur prej disa javësh konfliktet, janë takuar në ambientet e një qendre tregtare, ku as aty nuk kanë munguar debatet.
Mësohet se gruaja e ka pranuar faktin se e ka tradhtuar babanë e dy fëmijëve të saj me eprorin në punë, por ka pretenduar se ka ndodhur vetëm në një rast. Në dosjen e prokurorisë thuhet se në momentin kur ka përfunduar ky takim, bashkëshortja e Goxharas ka goditur veten me grushte, ndërsa nuk ka kërkuar falje, dhe as ka tentuar që të rregullojë marrëdhënien familjare, e cila ishte krisur.
I ndodhur në kushte të vështira psikologjike, menjëherë pas takimit në qendrën tregtare, Goxhara ka planifikuar përballjen me Kostën, të cilit nuk i la asnjë mundësi reagimi, duke e gjuajtur menjëherë me pistoletë. I plagosuri, drejtor i Zyrës së Monitorimit të Tregut të Energjisë Elektrike, ka humbur sasi të madhe gjaku dhe ka marrë plagë në këmbë. /ZËRI
Burimi