“Plagjaturë në masën 100%”, Taulant Muka denoncon presidentin Begaj: E mori titullin duke kopjuar revistën amerikane

“Plagjaturë në masën 100%”, Taulant Muka denoncon presidentin Begaj: E mori titullin duke kopjuar revistën amerikane

Rektori Artan Hoxha, presidenti Bajram Begaj dhe Taulant Muka

TIRANË- Dekretimi i rektorëve të rinj në Universitetet e vendit, nga ana e presidendit Bajram Begaj, mes tyre, dhe ai i Artan Hoxhës, i denoncuar për plagjaturë, ka bërë që e njëjta akuzë të ngrihet dhe për vetë kreun e shtetit. Studiuesi Taulant Muka, përmes një postimi në rrjetet sociale, thotë se punimi i doktoraturës së presidentit Begaj është një plagjaturë, dhe është kopjuar në masën 100%, nga materialet e një shoqate për mjekësinë në SHBA. Sipas Mukës, në doktoraturën e Begajt e cila është publikuar në vitin 2014, ndërsa të dhënave që ai iu është referuar i përkasin vitin 2004 në SHBA, dhe janë përshtatur për Shqipërinë.
“Presidenti Begaj me Punim Plagjiaturë, Dekreton Rektorë të Akuzuar për Plagjiaturë, Pavarësisht Shkeljeve ligjore! Sot, Presidenti i Republikës ka njoftuar dekretimin e rektorëve të përfshirë në skandale plagjiature, siç është rasti i Artan Hoxhës, duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim me Ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu. Kjo e fundit është e njohur publikisht për doktoraturën e saj të kapur me plagjiaturë. Pavarësisht ankesave të bëra në të gjitha institucionet përkatëse, Komisioni Qendror i Universitetit ka kthyer një përgjigje formale, pa emra dhe vetëm me vulë, duke përforcuar shkeljet ligjore.
Po z. Begaj, a ka një karrierë të ndërtuar mbi plagjiaturën? Zoti Begaj, i cili është mjek në profesion, ka marrë titullin profesor i asociuar, për të cilin nevojiteshin publikime me faktor impakti. Megjithatë, kërkimet tregojnë se jo vetëm që nuk ka publikime të tilla, por edhe një nga artikujt e tij, “Assessment and Management of Gastrointestinal Disorders during Pregnancy”, i publikuar në Advances in Life Science and Technology.
(https://www.iiste.org/…/index.php/ALST/article/view/17044), është 100% i kopjuar nga materialet e leksioneve të Shoqatës së Mjekësisë Obstetrike të Amerikës së Veriut (https://web.archive.org/…//www.obmed.org/pdfs/gastro.pdf). Madje, Presidenti vendos të dhënat për SHBA si të dhëna për vendin tonë.
Tashmë presidenti i shtohet listës së gjatë të shumë figurave politike që kanë ndërtuar karrierën akademike mbi vjedhjen e pronës intelektuale. Këto fakte tregojnë qartë se si pseudointelektualët jo vetëm që kanë penguar zhvillimin e elitave shqiptare dhe avancimin e universiteteve, por vazhdojnë të mbajnë gjallë hipokrizinë e vlerësimit të ndërsjelltë mes tyresh duke shkelur ligjet shqiptare. Shqipëria sot renditet e fundit në rajon dhe Evropë për nivelin e arsimit dhe shkencës, si dhe për largimin masiv të trurit. Kapja e institucioneve nga plagjiatura jo vetëm që nuk ndihmon në zgjidhjen e problemit, por e përkeqëson edhe më shumë situatën”, shkruan Muka në një postim në rrjetet sociale.

Ndërkohë që në një reagim për BIRN, nga zyra e presidencës, janë shprehur se Begaj i është referuar studimit në SHBA, duke e cituar në shkrimin e tij, dhe në këtë rast sipas tyre akuzat nuk qëndrojnë.
Zëdhënësja e presidentit Arta Sakja pretendoi se “çdo e dhënë është e referuar sipas kritereve të caktuara nga metodologjia e punimeve akademike”.
Sipas presidencës, revista ku ishte publikuar artikulli ishte “revistë me standarde të larta” dhe se ishte botuar “pas kalimit nëpër filtra të fortë dhe një komisioni të posaçëm vlerësimi”.
Por Muka e quan edhe vetë qëndrimin e presidencës një plagjiaturë duke theksuar se nuk është revista që e përcakton nëse është plagjiaturë ose jo.
Më herët, Muka ka denoncuar të tjerë zyrtarë që janë kapur në plagjaturë në punimet e tyre shkencore, por niveli akademik në Shqipëri, është larg kontrollit të punimeve shkencore, pasi në radhët e të akuzuarve qëndrojnë edhe vetë rektorë, apo ministra./ZËRI
Burimi