Pjetër Shala dënohet me 18 vjet burgim për krime lufte
Pjetër Shala
PRISHTINË- Pjetër Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është dënuar të martën me 18 vjet burgim për krime lufte nga trupi gjykues i Gjykatës Speciale. Ai është shpallur fajtor për ndalim arbitrar dhe torturë kundër së paku 18 personave dhe në pikën e vrasjes së paligjshme kundër një personi, më ose rreth datës 5 qershor 1999, në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë. Gjykata ka thënë se akuza e trajtimit mizor është mbuluar tërësisht nga ajo e torturës dhe nuk është shqyrtuar më tej nga Gjykata.
Prokuroria ka kërkuar dënim prej 28 vjetësh për Shalën. Pjetër Shala, shtetas belg, i njohur me nofkën “Ujku”, është deklaruar më parë i pafajshëm për të gjitha akuzat. Gjykata Speciale funksionon sipas ligjeve të Kosovës dhe aktualisht heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Çfarë tha Gjykata?
Gjykatësja e Gjykatës Speciale, Mappie Veldt-Foglia, ka thënë se fabrika e dikurshme e metalit në Kukës është përdorur prej UÇK-së – në periudhën maj 1998 deri në qershor 1999 – për rekrutim dhe logjistikë, mes tjerash. Ajo ka thënë se Gjykata ka marrë dëshmi të besueshme se ky objekt është përdorur për të ndaluar, marrë në pyetje dhe keqtrajtim të njerëzve që dyshohej se bashkëpunonin apo simpatizonin autoritetet serbe, apo nuk përkrahnin mjaftueshëm përpjekjet e UÇK-së.
“Shala ka marrë pjesë në transferimin nën rojë të njërit prej të ndaluarve në fabrikë, ka marrë pjesë në marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve, së bashku me anëtarë tjerë të UÇK-së. Shala ka qenë i pari që ka goditur disa të ndaluar. Njëri prej të ndaluarve tha se Shala e ka goditur me shkop bejsbolli dhe e ka akuzuar se ishte spiun”.
Sipas Gjykatës, Shala kishte synim për të kryer vrasje. Numri i të ndaluarve nuk dihet, por vlerësohet të ketë qenë rreth 40 persona, përfshirë tri gra, ka thënë gjykatësja.
“Trupi gjykues i ka identifikuar 18 persona… ka dëgjuar dëshmi të dorës së parë për ngjarjet traumatike të përjetuara gjatë ndalimit të tyre në këtë fabrikë dhe ndikimin që kanë pasur këto ngjarje në jetën e tyre dhe të familjeve të tyre”, ka thënë mes tjerash Veldt-Foglia.
Sipas Gjykatës, viktimat kanë qenë kryesisht shqiptarë të Kosovës, të cilat kanë pësuar dëme nga shqiptarë tjerë të Kosovës.
“Dëshmitë e tyre kanë të gjalla, të hollësishme dhe bindëse”, ka thënë gjykatësja.
Trupi gjykues ka thënë se të ndalurit janë mbajtur në rrethana çnjerëzore.
“Atyre nuk u është dhënë ushqim dhe ujë. Një dëshmitar kujtoi se nganjëherë dy të ndaluar ndanin një vezë të zier. Të ndaluarve nuk u lejohej të pastroheshin. U duhej të kërkonin leje të përdornin banjon, që ishin në gjendje të keqe. Dëshmitarët kanë thënë se në atë gjendje ‘as kafshët nuk do të jetonin’”.
Veldt-Foglia ka thënë se të ndaluarit janë rrahuar dhe janë detyruar të rrahin njëri-tjetrin, u janë thyer dhëmbët dhe gjymtyrët, dhe se kanë jetuar në frikë të vazhdueshme.
“Ata janë ngacmuar dhe kërcënuar me dhunë deri në vdekje”.
Shala është arrestuar më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe është transferuar në objektin e Gjykatës Speciale, në Hagë të Holandës, më 15 prill 2021. Në dënim do të përfshihet edhe periudha e paraburgimit. Gjyqi ndaj Shalës ka nisur në shkurt të vitit 2023. Ky është aktgjykimi i dytë i kësaj Gjykate lidhur me hetimet për krime lufte. Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar në dhjetor të vitit 2022 me 26 vjet burgim për krime lufte. Më vonë, Apeli ia ka ulur dënimin në 22 vjet burgim. Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë, por më pas janë liruar me kusht.
Përveç Mustafës dhe Shalës, të akuzuar për krime lufte janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi.
Gjyqi ndaj tyre është duke vazhduar./REL
Burimi