Ping-pongu Malaj-Sejko/ Faji për viktimat e mikrokredive mbetet jetim, sqarimi i 100 mijë qytetarëve do të bëhet nga një person i vetëm

Ping-pongu Malaj-Sejko/ Faji për viktimat e mikrokredive mbetet jetim, sqarimi i 100 mijë qytetarëve do të bëhet nga një person i vetëm

Petrit Malaj dhe Gent sejko

TIRANË- Ndërsa mijëra qytetarë enden rrugëve, dhe nuk e dinë nëse duhet të vazhdojnë pagesën e kësteve për kompanitë e mikrokredive, që tashmë i është vënë kyçi si FINAL apo MCA, institucionet përgjegjëse kanë zgjedhur që të bëjnë ping-pong mes tyre, duke mos marrë përgjegjësitë. Në një dalje të parë për mediat, që prej marrjes së detyrës, ministri i ri i Financave, Petrit Malaj tha se institucionet e mikrokredive janë nën monitorimin e Bankës së Shqipërisë. Ai tha se ministria që ai drejton është në kontakt me BSH, për ta ndihmuar në rast se ka nevojë për përmirësimin e kuadrit ligjor.
“Është një çështje ku ne jemi të angazhuar. Por duhet të theksojmë që subjekteve jo banka monitorohen dhe duhet të monitorohen nga Banka e Shqipërisë. Ne jemi në komunikim me Bankën për të parë se çfarë ndryshimesh ligjore janë të nevojshme nga krahu i Ministrisë së Financave të cilat duhet ti adresojmë. Por nga ana tjetër vetë Banka duhet të bëjnë ndryshime rregulloratore që të përmirësojë kontrollin e institucioneve financiare jo-banka”, tha Malaj.
Një ditë më pas, në ndryshim nga Malaj që foli përpara gazetarëve, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një intervistë ku kishte përballë një prej varteseve të tij, u shpreh se po bëhen rregullime ligjore, me qëllim ashpërsimin e kushteve për personat që marrin kredi të vogla.
Sejko nuk dha shpjegime se pse këto masa nuk ishin rishikuar më herët, ndërkohë që mijëra qytetarë ishin detyruar që të humbisnin pronat e tyre, për shkak të paaftësisë për shlyerjen e kësteve të kredive të vogla.
Sejko nuk dha detaje gjithashtu se cili do të jetë kufiri i moshës së lejuar për marrjen e kredive me interes të lartë, dhe as nëse punësimi do të jetë një kusht i detyrueshëm për aplikuesit pranë institucioneve financiare.
“Banka e Shqipërisë ka hartuar një paketë mendryshime ligjore për tregun e institucioneve financiare jo banka, jemi duke punuar me Kuvendin, si dhe jemi duke punuar me Bankën Botërore për një rregullore të re. Do të adresohet në analizën më të fortë kundrejt huamarrësve, gjithashtu do të ketë një filtrim më të mirë të klientëve, duke parandaluar një moshë të caktuar.
Gjithashtu po punojmë duke marrë në analizë normat e interesit, që aplikohen nga institucionet e mikrofinancës, për të pasur një ulje të normës së interesit. Një rregullore tjetër që është rishikuar, është ajo e rriskut operacional. Kjo rregullore konsiston në rritjen e kontrolleve, në raportimin që do të kenë në Bankën e Shqipërisë.
Ne gjykojmë se me këto masa, do të ketë përmirësime të ndjeshme të kuadrit rregullativ, gjykojmë se deri në Janarin e ardhshëm do të kemi rezultate konkrete dhe përmirësim të këtij tregu”, u shpreh Sejko.
Por përtej deklaratave të Sejkos dhe Malajt, që mbeten në kornizën e të bërit politik, dhe në rastin e guvernatorit të shmangies së përgjegjësisë ligjore, qytetarët kredimarrës janë ende të pasqaruar se çfarë do të ndodhë me detyrimet që iu kishin kompanive tashmë të sekuestruara. Pasi vendosi sekuestrimin e FINAL dhe MCA, zyrat e tyre dhe materialet që u gjetën brenda tyre, iu kaluan Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK). Ky institucion është në varësi të Ministrisë së Brendshme, dhe ka një total prej 14 punonjësish, që duket se e kanë të pamundur sqarimin e mijëra qytetarëve të mashtruar.
Në datën 22 Korrik, drejtuesi i AAPSK emëroi Dorina Janon, për administrimin e MCA dhe Final, por kjo e fundit dha dorëheqjen menjëherë pas marrjes së detyrës, duke shmangur në këtë mënyrë përgjegjësinë. Pas saj kjo detyrë iu besua Indrit Karajt, i cili më herët ka mbajtur postin e kreut të Tatimeve në Elbasan. Karaj ka përgjegjësinë që të shqyrtojë dosjen e 100 mijë qytetarëve të mashtruar, por a mund tia dalë që kjo detyrë të bëhet nga një person i vetëm? Pikërisht ky ngërç, kaq jetik për mijëra qytetarë mbetet i pazgjidhur nga Banka e Shqipërisë, si instutucioni kryesor për monitorimin e tregut të mikrokredive, por edhe nga Ministrinë e linjës, që nuk kanë marrë përsipër asnjë përgjegjësi. /ZËRI
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente