Përplasja e avokatit Dingo, ky është mjeti që shkaktoi aksidentin fatal. Erjon Kaçani dyshohet të jetë larguar nga vendi
Makina qe perplasi avokatin
DURRËS- Vijon të jetë i rrethuar me mister aksidenti që i mori jetën avokatit Leonard Dingo në Durrës, ndërsa është publikuar dhe foto e mjetit tip “Mercedes Benz që shkaktoi aksidentin me vdekje. Duke parë deformimet që mjeti ka pësuar, dyshohet se përplasja ka qenë mjaft e fortë, dhe mbi normën e lejuar në atë segment rrugor.
Automjeti është sekuestruar nga Policia e Durrësit, teksa pas ngjarjes u braktis nga autori në fshatin Kodër Arapaj. Dyshohet se automjeti drejtohej nga 22-vjeçari Erjon Kacani nga Tirana, i cili është larguar në drejtim të paditur, pasi ka braktisur mjetin.
Ky i fundit është shpallur në kërkim nga Policia, ndërsa vetëm pak ditë më parë është kthyer nga Greqia në Shqipëri, për shkak se jeton në shtetin fqinj si emigrant. Autoritetet po bashkëpunojnë edhe me vendet fqinje për kapjen e tij, pasi ka dyshime që ai mund të jetë larguar ilegalisht nga Shqipëria.
Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 të 21 Gushtit në aksin dytësor “Plepa-Kavajë”, ku u përplas me automjet avokati Leonard Dingo, 63 vjeç, i cili si pasojë humbi jetën, në vendin e ngjarjes. Dingo ishte duke qendruar në një banesë të marrë me qira në zonën ku ndodhi përplasja, teksa në momentin e aksidentit ka qenë duke ecur në këmbë.
Avokatët Penalistë, ka ngritur dyshime se mund të kemi të bëjmë me një vrasje të kolegut të tyre Leonrd Dingo, dhe kanë kërkuar zbardhjen sa më parë të ngjarjes.
“Ka më shumë se 48 orë që në zonën e Golemit, Durrës ka ndodhur një aksident me tipare të një krimi, që ende nuk është zbardhur. Avokati i mirënjohur Leonard Dingo ka ndërruar jetë si rrezultat i një aksidenti që ka ndodhur pranë shtëpisë së tij në një rrugë dytësore rreth orës 12:00 të datës 20 Gusht. Duke ditur çështjet sensitive që mbronte avokat Dingo dyshimet e arsyeshme të drejtojnë përtej një aksidenti të zakonshëm. Sipas burimeve konfidenciale deri tani është gjetur makina që ka bërë aksidentin e braktisur në zonën e Shëna Vlashit, është identifikuar targa dhe rrjedhimisht edhe pronar i makinës, por ajo që do t’i jepte rrugë zbardhjes së aksidentit ende është enigmë. Është kryer një krim dhe asnjë i dyshuar apo i ndaluar!”, thuhet në reagimin e avokatëve.
Burimi