
Përmirësohet gjendja shëndetësore e Papa Françeskut, Vatikani: Terapia po jep rezultat
Papa Françesku
ITALI- Për herë të parë që nga shtrimi i tij në spital rreth tre javë më parë, Papa Françesku po tregon një përgjigje të mirë ndaj trajtimit.
Në një deklaratë të zyrës së shtypit të Vatikanit të shtunën për CNN, thuhet se Papa kishte “një përgjigje të mirë ndaj terapisë” dhe një “përmirësim të lehtë dhe të ngadaltë” që nga momenti kur pati probleme me frymëmarrjen. Sipas burimit të Vatikanit, përmirësimi lidhet me funksionin më të mirë të shkëmbimit të gazrave në mushkëri dhe oksigjenimin e gjakut. Megjithatë, rreziku për një tjetër krizë të frymëmarrjes ende ekziston, dhe prognoza mbetet e rezervuar, theksoi burimi.
Papa vazhdon të trajtohet me terapi oksigjeni me rrjedhje të lartë gjatë ditës dhe ventilim jo-invaziv gjatë natës, sipas njoftimit zyrtar. Të shtunën në mëngjes, Papa u lut brenda një kapeleje, ndërsa pasdite pushoi dhe zhvilloi disa aktivitete pune, bëri të ditur zyra e shtypit.
Të dielën, ai mori pjesë në meshë në kapelën e katit të dhjetë të spitalit Gemelli në Romë dhe më pas u përfshi përmes video-lidhjes në ushtrimet shpirtërore që po zhvillohen në Vatikan me rastin e Kreshmëve, njoftoi Selia e Shenjtë.
Një burim i Vatikanit tha se Papa Françesku qëndroi i lidhur me videon gjatë meditimit dhe mundi të shihte anëtarët e Kurisë – zyrtarët e Vatikanit por nuk foli me ta. Sipas burimit, gjendja e tij mjekësore është e njëjtë si të shtunën, me Papën 88-vjeçar që është stabil dhe ka një përmirësim të vogël, por gjendja e tij mbetet ende e ndërlikuar.
Papa Françesku u shtrua në spitalin Gemelli më 14 shkurt me një infeksion të rëndë respirator, i cili kërkonte trajtim të përshtatur vazhdimisht. Shqetësimet për shëndetin e tij u shtuan të hënën, kur u zbulua se ai kishte pësuar dy episode të dështimit akut të frymëmarrjes. Në përditësimin e fundit të detajuar mbi gjendjen e tij, Vatikani tha se Papa nuk kishte ethe dhe analizat e tij të gjakut ishin “të qëndrueshme”.
Mjekët vazhdojnë ta përshkruajnë prognozën e tij me kujdes, duke theksuar se ai nuk është jashtë rrezikut. Sipas bluzave të bardha, gjendja e tij është stabile por nuk mund të bëhet asnjë parashikim për ecurinë e tij shëndetësore./ZËRI
Burimi