Përfitoi para nga Buxheti, Këshilli i Mandateve mblidhet në 4 Shtator për Sinajn, Financat konfirmojnë pagesat për “BigAlb”

Përfitoi para nga Buxheti, Këshilli i Mandateve mblidhet në 4 Shtator për Sinajn, Financat konfirmojnë pagesat për “BigAlb”

Vullnet sinaj

TIRANË- Këshilli për Rrëgulloren, mandatin dhe imunitetin do të mblidhet në datën 4 Shtator, për të diskutuar në lidhje me mocionin e dorëzuar nga deputetët e PD-së, për heqjen e mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj. Mbledhja është thirrur nga kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, me rend dite:
“Shqyrtimi i mocionit të 1/10 të deputetëve përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj dhe dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj”.
Në materialet që iu janë shpërndarë deputetëve, para mbledhjes, Ministria e Financave dhe Qendra Kombëtare e Biznesit, konfirmojnë pagesat që ka marrë kompania në pronësi të Sinajt, “Bigalb”, nga Buxheti i Shtetit.
Sipas deputetëve të opozitës rezulton se deputeti socialist i Vlorës Vullnet Sinaj ka përfituar përmes kompanive të tij, të ardhura nga Buxheti i Shtetit, përmes tenderave nga insitucionet publike, në shumën prej 3.6 milionë lekësh të rinj, në kundërshtim me ndalimin e parashikuar në nenin 70, pika 3, të Kushtetutës së Shqipërisë.
Kushtetuta, në nenin 70/3 të saj parashikon se: “Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”.

Nga verifikimi i të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit rezulton se deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj, nëpërmjet kompanive në pronësi të tij, ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit. Shoqëritë “BIGALB GROUP” sh.p.k., “BIG LISUS” sh.p.k., “BIG DURRËSI” sh.p.k., “BIG PESHKOPIA” sh.p.k., “BIG ROI” sh.p.k., “BIG LEO” sh.p.k., “BIG LEZHA” sh.p.k., “BIG DRINI” sh.p.k., “BASHKIMI” sh.p.k., “TIRANA CASH & CARRY” sh.p.k., qëjanë në pronësi apo bashkëpronësi të deputetit Vullnet Sinaj, përmes vetëm 9 transaksioneve të verifikuara, kanë përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit në shumën totale 3.689.814 lekë./ZËRI 
Burimi