PD e Himarës kundër kandidaturës së Petro Gjikurisë: Lajmin e mësuam nga media, u shpërfill lufta e një viti
Afrovita Dhimojani dhe Petro Gjikuria
TIRANË- Partia Demokratike, dega Himarë është shprehur kundër kandidaturës së Petro Gjikurisë për Bashkinë në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të mbahen më 4 gusht. Në një postim të bërë në Facebook, kryetarja e degës së PD në Himarë, Afrovita Dhimojani thotë se kandidimi i tij është i padrejtë, pasi me zgjedhjen e tij është shpërfillur lufta dhe angazhimi i degës lokale. Për të, duket se ka qenë i rëndë fakti që lajmin për kandidimin e Gjikurisë, e ka marrë vesh nga mediat dhe nuk janë pyetur strukturat lokale.
Postimi i Afrovita Dhimojani:
Të dashur Himariot dhe Himariote! Ditën e sotme u zyrtarizua kandidatura e Koalicionit BF, z.Petro Gjikuria për zgjedhjet e pjesshme të 4 Gushtit. Si drejtuese e PD Himarë, u informova si te gjithë qytetarët nga mediat për këtë vendimarrje politike. Ndjej detyrimin dhe angazhimin për të sjell në vëmendje se ne si degë, nuk jemi informuar e as konsultuar përsa i përket kandidaturës, por jemi vendosur para faktit publik. Nuk është e drejtë që lufta dhe angazhimi i PD Dega Himarë prej më shumë se nje viti intesiv, të shpërfillet pa u konsideruar, duke luajtur me Himarën dhe fatin e saj. Konsesusi politik për të diskutuar me bazën kandidaturat potenciale është e vetmja rrugë për të vendosur në vend padrejtësinë e votës Himariote, që u mohua më Datën 14 Maj! Duke mos e njohur, nuk dua të paragjykoj kandidaturën e zyrtarizuar si një alternativë për më të mirën e Himarës, jemi besimplotë për fitoren e Datës 4 Gusht. Himara meriton vërtetësi! Kryetare e Partisë Demokratike Dega Himarë.
Sot është zyrtarizuar kandidati i opozitës për bashkinë e Himarës, në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të mbahen në datën 4 Gusht. Përballë kandidatit socialist Vangjel Tavo do të jetë Petro Gjikuria. Një ditë pas lajmit të kandidimit të tij nga radhët e PBDNJ, Gjikuria ka reaguar sot me një postim në rrjetet sociale, ku dhe sqaron arsyet që e çuan në ndërmarrjen e këtij angazhimi politik./ZËRI
Burimi