
Pas bisedës Vuçiç-Putin, Brukseli i kërkon Serbisë të harmonizojë politikën me BE-në
Vladimir Putin dhe Aleksandër Vuçiç
BRUKSEL- Bashkimi Evropian e cilësoi Serbinë si një partnere evropiane të besueshme, e cila ndan të njëjtat parime dhe vlera, thanë institucionet evropiane pas njoftimit se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin.
“Serbia është një vend kandidat dhe po negocion për anëtarësimin në BE. Kjo nënkupton që vendi duhet të përshtatet me acquis communautaire të BE-së, duke përfshirë edhe harmonizimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe masat kufizuese kundër Rusisë,” thuhet në njoftimin për media të BE-së.
Pas bisedës telefonike me Putinin, Vuçiç deklaroi më 7 mars se Moska mbështet institucionet e zgjedhura në Serbi dhe entitetin e Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë.
Presidenti serb tha se me homologun rus ka biseduar për situatën në Serbi dhe në rajon, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme, përfshirë arritjen e një marrëveshjeje të re për furnizime me gaz me Rusinë dhe për sanksionet amerikane ndaj Industrisë së Naftës të Serbisë (NIS).
Udhëheqësi serb po ashtu tha se është konfirmuar takimi i tij me Putinin në Moskë më 9 maj.
Përmes një video-adresimi, të publikuar në Instagram, Vuçiç tha se me presidentin rus bisedoi edhe për “përpjekjen për një revolucion shumëngjyrësh në Serbi”.
Kështu iu referohen autoritetet serbe protestave që po mbahen në Serbi, të cilat po organizohen për të kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 persona pas shembjes së një tavani në një stacion hekurudhor në Novi Sad.
Serbia deri më tani i ka rezistuar thirrjeve të Perëndimit që të vendosë sanksione ndaj Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës. Negociatat e saj për pranim në BE janë ndërprerë për shkak të raporteve që ka me Rusinë dhe mosvendosjes së sanksioneve në përputhje me masat e ndërmarra nga BE-ja ndaj Moskës për shkak të luftës kundër Ukrainës.
Deri më tani, BE-ja ka vendosur 16 paketa sanksionesh ndaj Rusisë./REL
Burimi