Pacientët e Onkologjikut prej 11 ditësh pa kimioterapi, mjekët u japin ‘letra bakalli’, ilaçet sigurohen në të zezë te farmacitë
spitali onkologjik
TIRANË- Pacientët e spitalit Onkologjik në Tiranë, në një situatë të përsëritur, vazhdojnë që të vuajnë mungesën e medikamenteve, të domosdoshme për kryerjen e kimoterapive. Pavarësisht denoncimeve të shumta, reagimeve pas skandaleve që ndodhin në këtë spital, dhe premtimeve për një reformë të thellë nga ana e ministrisë së shëndetësisë, apo kreut të qeverisë Edi Rama, situata për qindra pacientë që përballen me kancerin është e njëjtë.
Ajo që është dhe më skandaloze, zbuluar nga rrëfimet e vetë pacientëve për gazetarin Osman Stafa, është se medikamentet që mungojnë në spital, janë gjendje dhe shiten dorazi në farmacitë përballë Onkologjikut, gjë e cila është e ndaluar dhe me ligj. Në një postim të bërë në rrjetet sociale, gazetari zbulon letrën që i ka dhënë një prej mjekëve të Onkologjikut, familjarit të njërit prej pacientëve, duke i treguar që medikamentin Carboplatinë mund ta siguronte te një farmaci përballë spitalit. Vetëm një dozë e këij medikamenti kushton 100 mijë lekë, pa llogaritur kostot e tjera me të cilat duhet të përballen pacientët e prekur nga kanceri.
“ONKOLOGJIKU S’KA KIMIO, KANË FARMACITË PËRBALLË QSUT. Kjo është çmenduria e Onkologjikut. Prej 11 ditësh mungon: 1- Carboplatinë dhe 2. Irinotekan. Janë kimio të dyja medikamentet. I siguron vetëm spitali, nuk mund të gjenden në farmaci. Është e kundraligjshme.
Kjo letër më poshtë i është dhënë një familjari nga një mjek brënda Onkologjikut, i cili kishte nënën e tij, për Carboplatinë. Ka shkuar dhe e ka gjetur tek farmacitë përballë spitalit. Si mundet Farmacitë e gjejnë, dhe Ministria e Shëndetësisë, Shteti Shqiptar, nuk e mundëson dot?
Vetëm kjo dozë pacientes ne kancer i ka kushtuar 100 mijë lekë. Si ka mundësi që farmacitë dhe rrjeti i kontrabandës i siguron kaq shpejt dhe shteti ynë jo? Po i vrisni ata njerëz”, shkruan Stafa në reagimin e tij në rrjetet sociale.
Vetëm dy ditë më parë kryeministri Edi Rama ishte në një inspektim në spitalin Nënë Tereza në Tiranë, por nuk tha asnjë fjalë në lidhje me denoncimet që bëjnë prej ditësh pacientët e spitalit Onkologjik. Pas denoncimit të pak javëve më parë, ku mjekët bënin pazar me jetët e pacientëve në Onkologjik, qeveria premtoi një reformë të thellë, që konkludoi vetëm me disa masa për ndalimin e dypunësimit të mjekëve pa vënë në dijeni shefat e spitaleve. Por deri tani nga qeveria nuk është marrë asnjë masë për zgjidhjen e problemit të vazhdueshëm, që lidhet me mungesën e medikamenteve, dhe shitjen e tyre në të zezë, edhe pse një gjë e tillë është ligjërisht e ndaluar. /ZËRI
Burimi