Opozita ashpërson tonet para Bashkisë: Ambasada e SHBA-së ‘’çetë komunistësh”, Veliajn ta arrestojmë brenda shtëpisë

Opozita ashpërson tonet para Bashkisë: Ambasada e SHBA-së ‘’çetë komunistësh”, Veliajn ta arrestojmë brenda shtëpisë

protesta

TIRANË- Përfaqësuesit e opozitës, pavarësisht pushimeve të Gushtit, nuk i kanë ndalur protestat e përjavshme përpara Bashkisë së Tiranës, ku kërkojnë arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Po ashtu pjesë e sulmeve të opozitës kanë qënë dhe ambasada e SHBA-ve në vendin tonë, si dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani.
Një prej protestuesve të përjavshëm u shpreh se përfaqësuesit e ambasadës së SHBA-ve në vendin tonë janë një ‘tufë militantësh’ komunistë, ndërkohë që sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi propozoi arrestimin e Veliajt brenda shtëpisë së tij.
“Ambasada Amerikane në Shqipëri është një çetë komuniste, është një çetë rebelësh, sepse Yuri Kim inauguroi ato anijet. Ato anijet marrin nga taksat tona 80 mijë euro në ditë”, deklaroi një nga militantët.
Blushi: Të dashur qytetarë të Tiranës, të cilët prej 22 javësh, protestoni së bashku me ne, përpara këtij monumenti të fëlliqur të korrupsionit dhe të krimit të organizuar.
Jemi këtu sepse prej 3 mandatesh, ky institucion nga një institucion në shërbim të qytetarëve, është kthyer në një bankomat të zagarëve dhe të zuzarëve, që sot duhet të ishin pas hekurave.
330 milionë euro është buxheti vjetor i  Bashkisë së Tiranës ose rreth 1 milionë euro në ditë ky institucion ka buxhet për të shpenzuar për të përmirësuar infrastrukturën në kryeqytet, për të dhënë më shumë shërbime dinjitoze për qytetarët,
Për të garantuar 24 orë ujë të pijshëm, për për të garantuar shkolla dhe çerdhe, për të shtuar këndet e çlodhjes dhe hapësirat e gjelbërta, që për fat të keq po asgjesohen dita-ditës duke u kthyer në sheshe ndërtimi, për kullat e drogës.
I vetmi shërbim që për tre mandate, në krye të kësaj  bashkie, që Erion Veliaj ka garantuar, është pikërisht avancimi i aferës së tmerrshme të inceneratorëve.
Sepse, është i vetmi shërbim që për fat të keq, sot vijon pa asnjë pengesë, as nga drejtësia, që ende nuk vazhdon të ndërpresë pagesat, për një shërbim që nuk kryhet.
80 mijë euro në ditë shkojnë në xhepat e pronarit faktik të inceneratorit të Tiranës, Erion Veliaj por ndërkohë Këshilli Bashkiak nuk mblidhet për të ndarë lëmoshën për familjet në nevojë.
1200 lekë të vjetra në ditë jep sot ky institucion, për qytetarët më në nevojë ndërkohë, 80 mijë euro në ditë paguhet për inceneratorin që nuk ekziston.
A mund të vazhdojë ky institucion të funksionojë? A mund të tolerojmë ne, që ky kryetar bashkie që me taksat tuaja, me djersën tuaj, që me gjakun tuaj të pasurohet, dhe ndërkohë ju të vuani për ujë të pijshëm në Shqipërinë e vitit 2024, të mos keni rruge te asfaltuara, te mos keni shkolla  e cerdhe, të mos keni lulishte e hapësira të gjelbra.
Vetëm në 2 muajt e fundit, të paktën 11 leje ndërtimi janë dhënë në Tiranë, në qytetin ku kostoja e jetesës e kalon çdo vend tjetër të rajonit dhe ku të gjithë këto apartamente qe ndertohen janë bosh, sepse jane thjesht  një mënyrë për të konservuar paratë e Erion Velisë, për të pastruar paratë gjigande që ka grumbulluar ky hajdut dhe kriminel, që prej kohësh duhet të ishte nxjerrë prej zverku nga kjo godinë.
Është koha që ne të përshkallëzojmë aksionin opozitar, të përshkallëzojmë protestën, dhe pse jo të protestojmë dhe përpara shtëpisë së këtij hajduti.
Për të mos e lënë të dalë nga shtëpia, për të mos e lënë të hyjë në këtë zyrë, sepse gjithë këto krime që kanë ndodhur në këtë institucion, nuk është faji i 5, apo 12 drejtorëve por është përgjegjësi direkte e Erion Velisë. Që me bekimin e zuzarit Altin Dumani sot vazhdon të vjedhë, ndërkohë që dhjetëra qytetarë sot janë pa shtëpi.
Ndërkohë, që qindra të tjerë, sot presin një lëmoshë nga bashkia e Tiranës, e cila nuk mbledh as Këshillin Bashkiak për të ndarë ndihmën ekonomike, që ju takon këtyre banorëve.
Fundi i Erion Velisë, është i caktuar. Opozita ia ka prerë biletën, ndëshkimit nuk ka për t’i shpëtuar kurrë. Në mos sot, nesër ai do të marrë atë që meriton, dhe të parët do të jeni ju që do të ja jepni këtë ndëshkim.

/ZËRI 
Burimi