“O sot, o kurrë”, opozita mban protestën kombëtare, Rama e ‘ndjek’ nga SHBA-të. Dy kushtet: Qeveri teknike dhe lirimi i Berishës

“O sot, o kurrë”, opozita mban protestën kombëtare, Rama e ‘ndjek’ nga SHBA-të. Dy kushtet: Qeveri teknike dhe lirimi i Berishës

Deputetet duke takuar qytetaret qe te behen pjese e protestes

TIRANË- Nën drejtimin e Partisë Demokratike, dhe në një kohë jo shumë të përshtatshme, për shkak të sezonit turistik dhe temperaturave të larta, opozita do të mbajë këtë 11 Korrik protestën e saj kombëtare, e paralajmëruar prej disa javësh. Tashmë që Partia Demokratike që drejtohet nga Sali Berisha ka marrë dhe të drejtën e vulës me vendim gjykate, është koha që të testojë edhe forcën e mbështetjes popullore, nëse janë apo jo një alternativë e mundshme qeverisëse.
Prej ditësh të gjithë deputetët janë shpërndarë në terren për të bërë të mundur sensibilizimin e qytetarëve që t’i bashkohen protestës, e cila do të nisë në orën 20:00 të mbrëmjes, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe do të përqëndrohet përpara kryeministrisë. Teksa protestuesit dhe përfaqësuesit e opozitës do të grumbullohen poshtë zyrës së tij, kryeministri Edi Rama nuk është i pranishëm në Shqipëri, pasi prej disa ditësh ndodhet në SHBA, në kuadër të samitit të NATO-së që po mbahet në Uashington.
Drejtuesit e opozitës kanë shpalosur dy kërkesat e tyre, që pritet të artikulohen gjatë kësaj proteste, e para është drejtimi i vendit deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nga një qeveri teknike, dhe e dyta lidhet me liderin e tyre historik, Sali Berisha, ku kërkohet lirimi i tij nga masa e arrestit.  
Për asnjërën prej kërkesave të opozitës, nuk ka pasur sinjale negocimi nga mazhoranca. Qeverisja teknike nuk do të ishte një gjë e re për Shqipërinë, pasi ajo u tentua dhe përpara zgjedhjeve të vitit 2017, kur PD drejtohej nga Lulzim Basha, që edhe pse mori drejtimin e përkohshëm të disa ministrive, nuk arriti që të shmangte disfatën në zgjedhje. Nga ana tjetër lirimi i Berishës, më shumë sesa një vullnet politik, është një betejë e zgjatur në sistemin e drejtësisë, ndërsa çështja së fundi është dërguar në Gjykatën e Lartë pas një zvarritje disa mujore.
Opozitarët janë treguar të rezervuar në lidhje me detajet e organizimit të protestës, ndërkohë që lideri i tyre Sali Berisha pritet që t’i drejtohet turmës përmes një videomesazhi, sa kohë që e ka të pamundur që të jetë pjesë e tyre fizikisht, pasi që prej dhjetorit të vitit të kaluar gjendet nën masën e arrestit të shtëpisë. Në krye të grupit të organizimit të kësaj proteste qëndrojnë deputetët Gazment Bardhi dhe Flamur Noka, të cilët prej muajsh kanë lënë pas hatërmbetjet mes tyre, dhe janë duke drejtuar opozitën, në mungesë të Berishës. /ZËRI
Burimi