Nuredini hap “kutinë e Pandorës”….edhe nga burgu!

Nuredini hap “kutinë e Pandorës”….edhe nga burgu!

Nuredini hap “kutinë e Pandorës”….edhe nga burgu!

Nuredin Dumani

TIRANË– Nuredin Dumani hapi “kutinë e Pandorës” kur u vu në pranga dhe vijon të nxjerrë prej saj emra që nuk i kishim dëgjuar më parë në fushën e krimit, duke na treguar se një eksponent si ai, kishte bashkëpunëtorë në politikë, biznes e më gjerë.

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka shkaktuar trazira me dëshmitë që ka dhënë në sallën e gjyqit. Ai ka përfshirë edhe dhëndrin e vëllait të ish-ministrit të Drejtësisë Nasip Naço.

Sipas Dumanit, dhëndri i vëllait të ish-ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço ka qenë mjek, i cili ka përgatitur dokumentet e nevojshme për ta diagnostikuar Dumanin si të sëmurë nga zemra, situatë që do ta ndihmonte të lirohej nga qelia. Nuredin Dumani ka shpjeguar se bashkëpunëtor ka pasur dhe një mjek ligjor, por që procedurat për ta liruar nga qelia i kishte nisur avokati Alban Bengasi, në këmbim të 40 mijë eurove.

“Kam paguar para që të dilja nga burgu, kisha avokat Alban Bengasin. Më ka ndihmuar dhëndri i vëllait të ish-Ministrit të Drejtësisë së kohës, Nasip Naço, që është mjek. Në atë kohë ka qenë shef i spitalit. I bënë letrat sikur isha për të vdekur. Dhe më nxorën nga burgu gjasme vuaja nga zemra. Kam paguar 40 mijë euro,”– tha ai. 

Lirimi i Nuredin Dumanit u bë në vitin 2014, një vit pasi ishte prangosur për pengmarrje. Kjo deklaratë ka sjellë edhe reagimin e Naços. Deputeti i Partisë Socialiste është distancuar nga të gjitha akuzat që janë ngritur ndaj tij dhe madje ka kërkuar hetim të thelluar lidhur me veprimet e tij si ministër. Nasip Naço është shprehur se gjatë ushtrimit të detyrës si Ministër i Drejtësisë, nuk ka miratuar asnjë leje të veçantë për Nuredin Dumanin.

“Jam njohur sot nga mediat ku përmendet emri im. Dua të theksoj se: 1. Distancohem nga çdo akuzë e bërë publike sot dhe ftoj organet e drejtësisë që të kryejnë një hetim të thelluar mbi këtë rast. Nëse akuzat vërtetohen, organet përkatëse duhet të marrin masa ligjore ndaj çdo personi të përfshirë në këtë çështje. 2. Roli i Ministrit të Drejtësisë, sipas legjislacionit në fuqi, është i kufizuar. Ministri: – Nuk heton, – Nuk ngre akuza, – Nuk pushon çështje, – Nuk jep vendime fajsie apo pafajsie. Detyra e tij lidhet vetëm me dhënien e lejeve të veçanta për të dënuarit, bazuar në ligj. 3. Gjatë ushtrimit të detyrës sime si Ministër i Drejtësisë, nuk kam miratuar asnjë leje të veçantë për subjektin në fjalë. 4. Distancohem nga çdo mashtrim, i bërë nga kushdo, individualisht apo në bashkëpunim, për të dëmtuar integritetin tim. Akuzat publike të bëra sot nuk përputhen me faktet reale të ushtrimit të detyrës sime si Ministër. Faleminderit!”- u shpreh Naço.

Ndërkohë që “personazhi kryesor”, mjeku që falsifikoi dokumentet e Dumanit, të cilin i penduari i drejtësisë nuk e përmendi me emër, ka zgjedhur që të mos bëjë asnjë sqarim lidhur me rastin. Mbetet për t’u parë nëse ky person do të thirret për t’u marrë në pyetje nga SPAK.

Rrëfimet e Dumanit janë zhvilluar edhe me dyer të mbyllura, por në episodet e zbardhura nga gazetarët, ka pasur edhe ballafaqime e përplasje.

Duke iu referuar të njëjtës periudhë lirimi nga qelia, Dumani ka përmendur edhe njëherë se me dy vëllezërit Festim dhe Petrit Qolin është bërë mik në vitin 2013 dhe se kanë qenë pikërisht këta dy persona ata që kanë paguar e kanë dhënë ryshfet për të ndërhyrë në sistemin e drejtësisë për ta nxjerrë nga burgu me një raport mjekësor, duke e shpallur “të sëmurë”.

Gjithashtu, Nuredin Dumani deklaroi se në lokali i ‘Qolëve’ frekuentohej nga politikanë e ministra, por pa përmendur emra.

Përballja e Dumanit me të pandehurit e tjerë ka shkaktuar tensione të shumta në sallë. Petrit Qoli dhe Ardian Uzuni që janë përplasur me të, kanë kërkuar edhe praninë e mediave në shumë raste, pasi sipas tyre, mungesa e gazetarëave bën që të mos ketë transparencë në dëshmitë e dhëna.

DEBATI:

Petrit Qoli: Kam 1 vit e gjysmë në burg dhe dua që fjala ime të jetë transparente dhe të bëhet me dyer të hapura”.

Adrian Uzuni: Media duhe në sallë, janë thënë shumë gjëra nga “mashtruesi Nuredin Dumani”. Unë jam baba i 3 kalamajve dhe media çfarë nuk ka shkruajtur për mua duke marrë për bazë fjalët e një mashtruesi. Unë dua që media të jetë në sallë dhe të dëgjojë. Dua vetëm drejtësi.

Avokatët duke u mbështetur në këto kërkesa, kanë shtuar se në fakt, kur dosja kalon për gjykim, nuk ka më sekret hetimor dhe ndaj e shohgin të çuditshëm faktin që prokuroria ka kërkuar të mbahen seancat me dyer të mbyllura.

“Pavarësisht se në seancën e parë nuk ishte kjo kërkesë, duket e çuditshme pse prokuroria ka kërkuar një gjë të tillë. Sipas ligjit, kur dosja kalon për gjykim, nuk ka me sekret hetimor.”- është shprehur Prokuroria.

Por, pavarësisht këtyre pretendimeve, Gjykata sërish ka vendosur që shqyrtimi të bëhet me dyer të mbyllura, derisa të dëshmojnë tre bashkëpunëtorët e drejtësisë. Megjithatë, edhe pas këtij vendimi, rrëfimi i Dumanit përballë të pandehurve të tjerë, ka sjellë të tjera përplasje. Nuredin Dumani, në rrëfimin e dytë ka etiketuar si bashkëpunëtor Gentian Sharrën, Enver Divën dhe ka përmendur sërish Petrit Qolin.

Ai ka pretenduar se ka kryer krime në bashkëpunim me ta, një prej tyre dhe grabitja e ndodhur në vitin 2019 në Rinas, por Gentian Sharra, ka pretenduar se në kohën kur e implikon Dumani, ai kishte bizneset e tij, kishte fituar tenderë me shuma prej 2 milionë eurosh dhe posedonte një automjet 50 mijë euro. Pra sipas tij, nuk ka pasur nevojë që të marrë pjesë në grabitjen e Rinasit për të fituar para, pasi kishte gjendje të mirë ekonomike.

Po ashtu, Petrit Qoli, një tjetër i arrestuar, ka thënë se është mbajtur në arrest për 3 vjet për shkak të deklaratave të Dumanit duke lënë jashtë të vetme njeriun që ai dashuron, bashkëshorten e tij. Nga ana tjetër, Enver Diva i ka kërkuar sërish Gjykatës që pas përfundimit të dëshmisë së Dumanit, e cila po kontestohet nga të arrestuarit dhe avokatët e tyre, gazetarët të lejohen në sallë për të raportuar edhe versionin e tyre në lidhje me ngjarjet që akuzohen. Në vazhdim të dëshmisë, Dumani ka folur gjithashtu për njohjen e tij me bashkëpunëtorin tjetër të drejtësisë, Erjon Alibej, duke dhënë detaje mbi marrëdhënien dhe bashkëpunimin mes tyre. Në rrëfimin e tij përballë Gjykatës, Dumani tha se Alibej i kishte bërë një “listë” të personave që donte të vrarë, pasi dyshonte se kishin marrë pjesë në ekzekutimin e vëllait të tij në masakrën e Bradasheshit.

“Erjon Alibeaj kishte bërë një listë me dhjetë persona për t’i vrarë. Në krye të kësaj liste ishte Emiliano Ramazani dhe Talo Çela. Erjoni më tha “i dua të vrarë se kanë marrë pjesë te vrasja e vëllait në Bradashesh”. Në krye të listës ishte Talo Çela, Altin Ndoci, vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, Emiljano Ramazani, Besmir Haxhia, Dorjan Shkoza, Besmir Haxhia. Vëllai i tij Viktori ishte viktimë rastësore. Për të vëzhguar lëvizjet e Ramazanit përdora një instruktore palestre,”- tha Dumani.

Lidhur me atentatin ndaj Sokol Sanxhaktarit, Nuredin Dumani ka rrëfyer se e kishte marrë vetë përsipër, por nuk e kishte kryer për shkak se ishte arrestuar.

“M’u premtuan 200 mijë euro nga Franc Copja për eliminimin e Sanxhaktarit. Por “porosia” nuk është kryer pasi atë ditë jam arrestuar. Informacionin do e merrnim nga Bledar Muça, Festim Coli dhe Franc Çopja,”- shtoi ai.

Përsa i përket vrasjes së Bujar Çelës, vëllait të të shumëkërkuarit Talo Çela, Dumani ka deklaruar se ai është ekzekutuar nga bashkëpunëtori i tij Besmir Xhixha, pasi vetë atij i ishte bllokuar ama e zjarrit. Sipas dëshmisë, në momentin që Enver Diva qëlloi i pari, Bujar Çela mbeti i plagosur. Më pas, duke qenë se Dumanit i ngeci arma, Xhixha zbriti nga makina dhe qëlloi duke i marrë jetën vëllait të Talo Çelës.

Po duke u bazuar tek dëshmia e Dumanit, motivi kryesor i vrasjes ishte hakmarrja për ekzekutimin e Klevis Kapllanit, mikun e tij, të cilin dyshonte se ia kishte vrarë Talo Çela dhe vëllezërit Manahasa. Pas vrasjes, të tre personat, Nuredin Dumani, Besmir Xhixha dhe Enver Diva, u larguan në drejtim të Fushë-Krujës, ku dogjën automjetin e përdorur dhe hodhën armët në një kanal në zonën e Plepave në Durrës, për të zhdukur gjurmët.

“Vrasja e Bujar Çelës? Kisha 2 armë me vete, njërën për ta përdorur për krimin, tjetrën e mbaja si zakonisht për vetëmbrojtje dhe nuk e përdorja në ngjarje. Në krim mora pjesë me Besmir Xhixhën dhe Enver Divën. Tentova ta qëlloj Bujarin por arma nuk më shkrepi. I thashë Xhixhës të qëllonte se nuk po më shkrepte. Nuk e përdora armën e dytë sepse nuk doja ta bëja pis,”- u shpreh ai.

Bashkëpunëtori i drejtësisë ka folur para gjykatës grabitjet e kambistëve në Elbasan, Kavajë e Durrës, të cilat ka deklaruar se i ka kryer në bashkëpunim me Talo Çelën, Ilirjan Feçin dhe Gentian Sharrën.

“Në Kavajë, ka qenë nje rast me një kambist. Atje jane organizuar, unë, Ilirjan Feçi, Gentjan sharra dhe Talo Çela. Grabitja është bërë me nje audi te vjetër. Feçi kishte një hallë të veten qe kishte shtëpinë afër autostradës. Atë shtëpinë e kishim si bazë, kur bënim grabitje linim automjetet aty. Shkuam një ditë përpara aty, si notmalisht. Kemi shkuar aty afër me “Audi”, unë, Talo Çela, Gentjan Sharra dhe Ilirjan Feçi kemi shkuar te kjo shtëpia. E pritëm personin që do të grabisnim, ishte diku 60 vjeç. Ai më pa mua, un isha me kapele dhe maskë. Në atë moment i ra Talo me levë surratit, 2-3 herë dhe ai ra në tokë. Nuk fliste dot, vetëm bërtiste. Kishte një çantë si trastë, unë kisha një thikë në dorë. Unë ia mora çantën dhe ika me vrap. Ishin 20 e ca milionë lekë, se mbaj mend mirë ndoshta më shume. Kaq ishte ngjarja, u larguam,”- deklaroi Dumani.

Grabitja në Vilë Bashtovë është kryer vetëm nga Nuredin Dumani dhe Talo Çela.

“Ka qenë dhe një grabitje tjetër në Vilë Bashtovë. Morëm pjesë unë dhe Talo Çela. Hymë të dhoma e dy pleqve. Pamë një kasafortë. E kapëm e ngritëm të dy. Kemi ndaluar te ura e Rrogozhinës, aty te pazari, pasi morën kasafortën,”- u shpreh Dumani.

Prokurori Behar Dibra e ka pyetur Nuredin Dumanin edhe për atentatin ndaj Filip Gjeloshajt.

“Në 2020 jam njohur me Henrik Hoxhën. Atë e kam njohur përmes Festim Qolit. Festim Qoli është një person i njohur për mua dhe familjen time. Ardjan Uzunin e njihja vetë. Në vitin 2012 i kam shitur nje snajper 12.7. Ardjan Uzuni kishte marrë një porosi për të vrarë Filip Gjeloshin. I kishte dhënë 5 mijë euro paradhënie Henrik Hoxhaj. Ka qenë me nje Fiat Punto. Personi qe e ka qëlluar nuk ka qenë Henrik Hoxhaj por një person tjetër. Atij i ka ngecur arma,”- tha Dumani.

Vrasja e Ervis Dedjas është gjithashtu një tjetër episod mjaft i hershëm që është zbardhur nga Dumani.

“Ervis Dedja ishte mik i familjes se Festim Qolit. Kishin shume biznese bashkë, jemi takuar në një kafe rastësisht. Ne 2012 Dedja u vra. Pas vrasjes mora vesh qe e kishte vrare Festim Qoli, shoku i tij,”- është shprehur i penduari i drejtësisë.

Edhe në këtë moment kur Dumani ka akuzuar Festim Qolin për vrasjen e Ervis Dedjas, ka pasur përplasje me Petrit Qolin.

“Nuredin Dumani është krijesa më e shpifur njerëzore që kam njohur ne 53 vitet e jetës sime,”- ka deklaruar Qoli. 

Aplikacioni “Matrix” ka qenë gjithashtu një nga pikat që ka prekur Dumani në rrëfimin e tij. Ky aplikacion që është zbërthyer së fundmi dhe që flet edhe shqip, ka qenë mënyra se si Dumani është kontaktuar nga Suel Çela për të vrarë Lulëzim Mashën, biznesmeni i cili mbeti i plagosur te Liqeni i Thatë në Tiranë në janar 2022.

“Gjatë komunikimit që kam pasur me Suel Çelën në “Matrix”, më dha një kontakt të një mikut të vet, që ishte i interesuar për eliminimin e pronarit të shkollës “Uilson” Lulëzim Masha për 150.000 Euro. Për këtë vrasje unë kontaktova Henrik Hoxhajn me aplikacionin “Matrix”. Ditën e ngjarjes Riku komunikoi me mua në Matrix dhe me tha “kusho lëre se u fëlliqëm”. Riku më tha se i ishte bllokuar arma,”- shton Dumani. 

Me këtë pjesë të rrëfimit, Dumani na tregon se aplikacioni “Matrix” është përdorur të paktën që nga viti 2022 dhe se zbërthimi i tij mund të çojë në zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura në tri vitet e fundit.

Një tjetër grabitje në të cilën Dumani ka rrëfyer se ka pasur bashkëpunëtor Gentian Sharrën ka qenë ajo që kanë kryer në shtëpinë e dhëndrit të Agron Dukës, deputetit të opozitës. Dumani ka deklaruar se në banesën e dhëndrit të Agron Dukës kanë vjedhur një shumë prej mbi 500 mijë euro.

“Po në Shijak dhe në Vilbashtovë. Shtëpia ishte e dhëndrit të Agron Dukës sipas Dorian Shkozës dhe kishte mbi 500 mijë euro aty. Grabitja është bërë me makinën time tip ML. I kam heq targat dhe pjesë që të mos dukej se është e imja,”- ka thënë

Gentian Sharra e ka mohuar një gjë të tillë. Ai është shprehur i pafajshëm duke kundërshtuar deklaratat e Nuredin Dumanit, i cili e përfshin atë në disa ngjarje kriminale. Sharra është shprehur se në vitin 2017, deklarimet e bizneseve të tij tek Tatim Taksat në Elbasan arrinin deri në 2 miliardë e 430 mln lekë dhe sipas tij, nuk kishte pse të merrte pjesë në grabitje për 2 mijë paundë. Gjatë dëshmisë së tij Sharra ka akuzuar Dumanin se i ka kërkuar 200 mijë euro që të lehtësojë pozitat e tij penale.

“Më plasi shpirti o të keqen vëllai, duke dëgjuar fjalët e tij, duke ndryshuar fjalët javë për javë. Nga 2012 e sot marr tendera dhe vazhdoj edhe sot. Tani i ka sekuestruar prokuroria. Jam taksapagues i rregullt. Kam pasur 13 biznese. Bar restorant, loto, servis, pikë shumice. Në kohën kur zotëria thotë kemi bërë vjedhje bashkë unë kisha 13 biznese. Dumanin unë e kam takuar tek lokali im. E kam njohur për njeri të sëmurë. Vëllai i këtij vinte e bënte biseda me Talo Çelën. Unë nuk e di nga i monton këto intriga Nuredin Dumani e duke më veshur një imazh negativ. Në 2017, nëse shikoni deklarimet tek Tatim Taksat në Elbasan unë kisha 2 miliard e 430 mln lekë. Kisha 200 mln lekë divident. A ka logjikë që Gentian Sharra të shkonte në Berat të vidhte 2000 pound? Në 9 shtator 2023 Dumanit i është lyer dhoma e burgut nga një djalë nga Durrësi. Më pas ai djali erdhi tek dhoma ime dhe më kërkoi 200 mijë euro në emër të Dumanit, në këmbim të lehtësimit të pozitave penale. Le të verifikohen kamerat e sigurisë”, ka thënë Sharra.

Edhe vetë Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka bërë një sqarim në lidhje me dëshminë e të penduarit të drejtësisë. I ftuar sot në ‘Studio Live’, deputeti pretendon se i afërmi i tij ka vite që nuk vjen në Shqipëri, pasi e ka vendosur jetën e tij në Britaninë e Madhe dhe se një gjë e tillë nuk ka se si të jetë e vërtetë.

“Unë dhe dhëndri im nuk i kam pasur ndonjëherë lekët cash. Unë i kam kompani, me kredi dhe biznese, aktivitet i rregullt. Dhëndri im është në Angli, me vajzën time me familjen dhe jeton atje. A është rrenë kjo, është e sigurt, por nëse është triller, edhe mundet, për ndonjë qëllim. Për të thënë që ja dhëndri i Dukës ka shumë lekë, apo duke thënë se ka sjellë 500 mijë euro në Shijak, s’e di. Nuk kemi lidhje fare me këtë dhe nuk është e vërtetë,”- tha ai. 

Në një tjetër seancë, Dumani është përplasur me bashkëpunëtorin e tij, Xhuliano Hoxha, i dënuar për vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Sipas Dumanit, Xhulian Hoxha ishte informator i Erion Alibejt dhe njëherë ky i fundit i kishte dhënë një shumë prej 20 mijë euro. Ndërkohë Hoxha e ka mohuar duke iu përgjigjur se më herët ka deklaruar që u shërbente Çapjave.

“Më herët, Dumani ka thënë që unë i kam shërbyer grupit Çapja. Kujt i kam shërbyer unë?
Në fillim më ka thënë Erioni. Por më vonë më ka thënë edhe Suel Çela. Ai kishte një dokument, deklarim, që sipas tij i kishte shërbyer Çapjave. Më ka parë me sytë e tij të marr lekë nga Alibej?”- ka pyetur Hoxha. 

Enver Diva, një nga të arrestuarit për vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, ka bërë një deklaratë “bombë” në sallën e gjyqit për dosjen “Plumbi i artë”. Në fjalën e tij, Diva pretendon se Nuredin Dumani ka marrë para nga dy politikanë për të ekzekutuar Talo Çelën. Madje dhe i ka kërkuar llogari Dumanit se përse nuk i tregon këto detaje. Por Dumani pretendon të kundërtën duke theksuar se deklarimet e Divës janë të pavërteta.

Përballja mes tyre:

Enver Diva: Nuredin Dumani takoi 2 biznesmenë dhe 2 deputetë në një lokal, i dhanë foton e Talo Çelës dhe një çantë me lekë dhe i thanë ‘e duam të vrarë’, pse nuk i tregon ky këto…?!

Nuredin Dumani: Nuk është e vërtetë kjo! Unë për vrasjen e vëllait të Talos nuk mora asnjë lekë, sepse u përfshiva për hakmarrje, pasi u vra Klevis Kapllani, lekët për vrasjen e Bujar Çelës i kanë sjellë të nesërmen në Vorë, me një makinë, pagoi Erjon Alibej.

Në përballjet me Enver Divën dhe vëllezërit Qoli ka pasur edhe kërcënime mes tyre. I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani nuk është vënë vetëm në shërbim të autoriteteve dhqiptare, por edhe atyre të huaja. Njeriu më i frikshëm i dekadës së fundit është marrë në pyetje edhe nga agjentë të autoriteteve italiane në praninë e një përkthyesi. Bëhet fjalë për episode të trafikut të lëndëve narkotike, por edhe për ngjarje të tjera kriminale.

Interes për të pyetur killerin për ngjarjen ë të cilat janë përfshirë eksponentë të grupeve kriminale shqiptare, kanë shfaqur edhe agjenci të tjera ligjzbatuese të vendeve europiane.

Një njeri i akuzuar për një seri vrasjesh është kthyer në një të penduar që po tërheq pas hekurave shumë emra të tjerë. Nuredin Dumani, njeriu që në moshën 23-vjeçare, në vitin 2021 ndante tufat me para me të vëllanë, Dashnor Dumani, sot është kyçi i “plumbit të artë” që zgjerohet pas çdo dëshmie./ZËRI/

Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente