“Nuk kemi lidhje me vrasjen”, Gjykata lë në burg dy punonjësit e hotelit Holiday në Velipojë: Ja kë pamë duke qëlluar me armë
Ersild Ishmi dhe Arsid Hoxha
SHKODËR- Dy punonjës të hotelit të familjes Frroku, të identifikuar si Mario Palin dhe Zyber Zagrad, të cilët u arrestuan nga policia janë lënë në masën e arrestit me burg nga Gjykata e Shkodrës. Palon dhe Zagrad dyshohet se janë bashkëpunëtorët e vëllezërve Frroku në vrasjen e Ersild Ishmit dhe Arsid Hoxhës. Nga ngjarja e të hënës mbrëma (19 gusht) Zagrad mbeti i plagosur në këmbë.
Zyber Zagradi dhe Mario Pali deklaruan gjatë seancës së sotme, se kishin dalë në oborrin e hotelit, vetëm pasi kishte nisur konflikti mes vëllezërve Frroku dhe dy viktimave Ersild Ishmi dhe Arsid Hoxha.
Zagradi dhe Pali deklaruan se kanë parë shtetasin Edmir Frroku duke qëlluar ndërsa u shprehën se nuk e kanë patur idenë se si ka nisur konflikti mes tyre sepse mbërritën më vonë aty. Avokati mbrojtës Simon Pashku kërkoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe vleftësimin e paligjshëm të ndalimit të tyre ndërsa prokurori Albert Murçaj kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” të cilën gjyqtarja Arta Llazari e pranoi.
Kamarieri Zyber Zagradi deklaroi gjithashtu se nuk e ka idenë se si ka mbetur i plagosur. “Nuk e di si u plagosa, vetëm kur pashë këmbën me gjak dhe plagën e shkaktuar nga plumbi që kisha marrë”.
Ndërkohë më herët kamarieri Zagradi deklaroi në polici se deri tek motra e vëllezërve Frroku në Lezhë e ka dërguar Mario Pali dhe më pas nga aty motra e vëllezërve Frroku e ka dërguar në spitalin e Lezhës. Nga ana tjetër në deklarimin në polici Pali e ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se pas ngjarjes ai është larguar drejt Shkodrës.
Një konflikt banal i nisur rreth 2 muaj më parë denigroi në përdorimin e armëve të zjarrit. Viktimë nga breshëria e plumbave mbetën Arsid Hoxha, 22 vjeç edhe Ersild Ishmi, 33 vjeç. Ndërsa autorë të dyshuar të kësaj vrasjeje të dyfishtë janë dy vëllezërit Eduard dhe Gëzim Frroku, pronarë të një hoteli. Drejtori i policisë së Shkodrës Edmond Sulaj tha në një deklaratë për mediat se shkak për ngjarjen dyshohet se u bë një debat i ndodhur në fund të muajit Qershor në hotelin e vëllezërve Frroku, mes kamarierit dhe kuzhinierit./ ZËRI
Burimi