“Nuk jemi krahinë e Shqipërisë”, pse trazoi kaq shumë deklarata e aktorit Osman Azemi (Reagimet)

“Nuk jemi krahinë e Shqipërisë”, pse trazoi kaq shumë deklarata e aktorit Osman Azemi (Reagimet)

Osman Azemi

TIRANË- Osman Azemi, një aktor i humorit në Kosovë, ia ka dalë që në javët e fundit të jetë kryefjalë në mediat sociale dhe jo vetëm. Shkak për këtë u bë një deklaratë përçarëse e tij, ku thoshte se Kosova nuk është dhe nuk mund të trajtohet si një krahinë e Shqipërisë, ndërsa aludonte më tej se shqiptarët e Shqipërisë, janë xhelozë për figura të artit dhe të sportit nga Kosova që kanë korrur një sukses ndërkombëtar. Ca më tej, Azemi shprehej se shqiptarët e Kosovës iu kanë mësuar shqiptarëve të Shqipërisë se si të jenë tifozë të mirë, ndërsa hidhte dhe idenë e një bojkoti për të mos ardhur më në vendin tonë.
“Ne nuk jemi krahinë e Shqipërisë. E kuptoj që Shqipëria i ka disa komplekse që nuk e ka një trajner si Toni Kuka, Majlinda Kelmendi. Nuk e ka Rita Orën, Dua Lipa. E kuptoj. E kuptoj xhelozinë që nuk e kanë një Xherdan Shaqiri, një Granit Xhaka…që janë të gjithë kosovarë. Ne jemi më të mirë në futboll, kemi dhënë kontribut shumë të madh në…i kemi mësuar si të jenë tifozë të mirë.
Dhe tani çfarë më mbetet mua që kur të udhëtoj, të mos udhëtoj më nga Kukësi, por nga Rozhaja. Unë e di dhe kështu të bojkotoj. Ama unë ia dëshiroj të gjitha të mirat Shqipërisë, por boll kemi probleme me Serbinë, mos na bëhen dhe këta”, tha Osmani në një emision televiziv në Klan Kosova.

Të menjëhershme ishin reagimet kundër tij në të dy anët e kufirit, duke e cilësuar komentin e tij si përçarës, dhe nxitje të një konflikti të panevojshëm mes qytetarëve të dy shteteve që janë pjesë e një kombi dhe flasin të njëjtën gjuhë. Të parët që reaguan ishin personazhe kryesisht të artit në Shqipëri, të cilët në fakt nuk bën asgjë më pak se Azemi, duke përmendur në shumë raste për balancë, personazhe të mëdhenj që i ka Shqipëria në arenën ndërkombëtare si Ismail Kadare apo Ilva Mula. Por nuk munguan as reagimet nga më ekstremet, siç ishte ai i reperit Noizy, i cili aludonte se Azemi ishte përdorues i lëndëve narkotike, ndërsa i bënte thirrje atij që të ‘ndryshonte mallin’.

Reagime ka pasur dhe nga personazhe të njohura në Kosovë, siç është dhe rasti i gazetarit Berat Buzhala, i cili përmes një video në rrjetet sociale do të shprehej: Mirë që nuk tha në fund, që ne kemi Albin Kurtin dhe ju nuk e keni. Krejt ato që përmende ti kisha dhënë, për mes pas ne një Ismail Kadare, ose për me qenë në NATO, apo mos me pas problemet që kemi në veri, apo për të pasur një vijë bregdetare si ajo që ka Shqipëria, apo për me pas fqinj Italinë. Ky është një debat dëshpërues, Shqipëria jo vetëm që s’na ka rival, por as nuk na çon në mend ne me u krahasu. 

Vetë Azemi, pavarësisht kritikave në rrjetet sociale, jo vetëm që nuk është tërhequr nga qëndrimi i tij, i bërë publikisht në ekran, por ka vazhduar me një postim ku ka ironuzuar sërish.
Sqarim rreth keqkuptimeve pas emisionit në Klan Kosova
1. Jam i indinjuar që Federata Shqiptare e Futbollit pretendon të mbaj një kampionat ndërkombëtar bashkë me Serbinë.
2. Jam i indinjuar që angazhohet një trajner serb në një klub elitar shqiptar.
3. Jam i indinjuar nga rampa e 5 eurove, e vendosur pikërisht në venën kryesore që e lidh Kosovën me Shqipërinë.
Për shkak të këtij indjimi edhe mund të jem shprehur përtej asaj që në të vërtet e ndjej:
1. Jam për Bashkim Kombëtar ashtu siq kanë qenë, janë dhe do të jenë të gjithë shqiptarët.
2. Me plazhë të Shqipnisë s’ka.
3. Me Valbonë s’ka.
4. Me Bjeshkë të Nemuna s’ka
5. Me suxhuk të Gjakovës s’ka.
5. Edhe i Pejës asht i mirë.
6. Nuk më pëlqen speci i djegst dhe hudrat e Kinës.
Në fakt një debat i tillë duket se nuk i shërben askujt, pasi në gjithë këto vite, pavarësisht orekseve të politikës, së njërës apo tjetrës anë të kufirit, shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës kanë ditur të qëndrojnë bashkë dhe t’iu gëzohen sukseseve të dy vendeve tona./ZËRI
Burimi