New York Times: Marrëveshjet e familjes Trump në Shqipëri po nxisin pakënaqësi të vazhdueshme
Foto ilustruese
SHBA- Dy projekte të pasurive të paluajtshme në ishullin e Sazanit, të propozuara nga dhëndri i ish-presidentit Donald J. Trump po nxisin tensione të vazhdueshme në Shqipëri. Familja Trump po përballet me akuza se toka që ajo shpreson të zhvillojë u është dhënë në mënyrë të parregullt. Mosmarrëveshjet lidhen me investimet me vlerë 1 miliard dollarë që Ivanka Trump, vajza më e madhe e ish-presidentit dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, kanë në plan të bëjnë në Shqipëri përgjatë bregdetit mesdhetar të këtij kombi të Evropës Jugore.
Një familje thotë se një pjesë e kësaj prone u sekuestrua në mënyrë korruptive pas përfundimit të sundimit komunist në vitin 1991.
“Ata po përpiqen të na marrin atë që është e jona,”- tha Bledar Alexandros Konomi, i cili si djalë i ri ndihmonte me kujdesin e bagëtive në tokën që tani mendohet se do të ngrihet hoteli i Kushnerit. Pretendimi i Konomit mbështetet nga procesverbalet e gjykatave shqiptare.
Zhvilluesja, Evi Kokalari-Angelakis, tha në një intervistë se qeveria shqiptare e ka injoruar në mënyrë efektive propozimin e saj për të rindërtuar qytetin e vjetër sepse dëshiron t’i lërë përshtypje Donald Trump, në rast se ai rizgjidhet president mund të ndihmojë Shqipërinë në objektivat e saj të politikës së jashtme.
“Dizavantazhi im më i madh është se unë jam kundër vajzës dhe dhëndrit të Trump. Ma kanë mbyllur derën në fytyrë,”- tha Kokalari-Angelakis. Por Kokalari-Angelakis nuk është e vetmja që ngre pyetje për projektet e propozuara të Kushner në Shqipëri. Agron Shehaj, një deputet i partisë opozitare në parlamentin shqiptar, tha se procesi i zgjedhjes së një zhvilluesi për ishullin e Sazanit nuk ka pasur transparencë.
“Sigurisht që për Shqipërinë, që është një vend i varfër, është e rëndësishme zhvillimi i turizmit. Por këtu ka pasur mungesë transparence dhe kjo e bën të duket sikur kjo është një marrëveshje private që është në interesin politik të kryeministrit të Shqipërisë,”- tha Shehaj në një intervistë.
Sazani, ishulli më i madh në Shqipëri, ndodhet në një pikë strategjike në veri të kufirit me Greqinë dhe pikërisht përballë thembrës së çizmes së Italisë. Për gati 1000 vjet, ishulli kryesisht i pabanuar ka qenë një vend jetik ushtarak, në hyrje të ngushtë të detit Adriatik, duke përfshirë përdorimin nga italianët si një bazë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pasi Shqipëria iu afrua Bashkimit Sovjetik, pas Luftës së Dytë Botërore, ishulli u bë një vend ushtarak për qindra ushtarë shqiptarë. Ishulli sot është ende i mbushur me streha për bomba, me një port të vogël ushtarak dhe një koleksion ndërtesash të rrënuara, kryesisht të braktisura, jo shumë larg vendit ku Kushner dhe Ivanka Trump duan të ndërtojnë.
“Nëse mund të besohen mburrjet sovjetike, Saseno është fortifikuar në mënyrë që të jetë i papërshkueshëm nga sulmi me bombë atomike,”-shkruhej në një kabllogram të CIA-s në vitin 1951, i cili bazohej në raportet e lajmeve turke, duke shtuar se Sazan (Saseno ishte emri italian i ishulli) ishte “në një pozicion për të bllokuar plotësisht Detin Adriatik, ashtu si Gjibraltari bllokon hyrjen në Mesdhe”.
Për të hyrë në ishull, firma e Kushner ka nevojë për miratim nga qeveria shqiptare. Ajo ka paraqitur tashmë një propozim pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve.
“Ne kemi këtë ishull prej 1,400 hektarësh në Mesdhe dhe po sjellim arkitektët më të mirë dhe markat më të mira,”- tha Trump gjatë një interviste në podcast këtë verë. Komentet e saj që sugjeronin se familja e saj kishte siguruar investimin në Sazan kanë shkaktuar kritika në Shqipëri.
Kokalari-Angelakis tha se ajo paraqiti një propozim në pranverë – një kopje e të cilit iu dha The Times – duke ofruar investimin e 400 milionë dollarëve në Sazan për të ndërtuar një hotel luksoz të frymëzuar nga resorti “The Breakers” në Florida. Do të tërhiqte një lloj tjetër turme, potencialisht Elon Musk dhe Jeff Bezos, të cilët po udhëtojnë vazhdimisht në brigjet italiane dhe greke, ndërsa fatkeqësisht anashkalojnë Shqipërinë. Kokalari-Angelakis tha se kishte pasur biseda me zyrtarë qeveritarë rreth planit të saj dhe i ishte kërkuar nga qeveria të përgatiste një propozim inxhinierik më të detajuar, por kuptoi gjatë podcastit të Ivanka Trump se marrëveshja ishte arritur. Ajo tha se kishte vendosur të mos shpenzonte më shumë para për të finalizuar projektin e saj.
Drejtuesit në AIDA, agjencia shqiptare që mbikëqyr projekte të tilla, refuzuan një kërkesë për intervistë.
Në një deklaratë me shkrim, agjencia tha se planet për të ndërtuar në ishullin e Sazanit janë ende në shqyrtim/
“Për sa kohë që nuk kemi ndonjë vendim, nuk kemi informacion për të ndarë”.
Kokalari-Angelakis dikur ishte një mbështetëse e Trump, duke kontribuar në fushatën e tij të rizgjedhjes në vitin 2020 dhe madje duke luajtur një rol në kundërshtimin e rezultatit të atyre zgjedhjeve. Tani, ajo tha se beson që Trump-ët kishin marrë favore të veçanta nga qeveria e Ramës.
“SHBA do ta kishte të vështirë të merrte masa kundër qeverisë së Ramës nëse ai ka partneritet me Jared dhe Ivanka,”- shtoi ajo.
Zëdhënësi i kryeministrit Rama e kundërshtoi këtë pretendim, duke e cilësuar si “mjaft zbavitëse” pretendimet e Kokalarit duke shtuar se kreu i qeverisë është akuzuar për lidhje të ngushta me familjen Soros, e cila është e lidhur me grupet liberale.
“Edi Rama është kryeministri i Shqipërisë dhe për të, kushdo që bashkon përpjekjet tona për t’i shërbyer interesave më të mira të Shqipërisë është me të vërtetë një bekim i madh,”-tha zëdhënësi i Ramës.
Nga ana tjetër, Abehsera dhe Kushner, në intervista të ndara, thanë se nuk po kërkonin – ose nuk po merrnin – ndonjë trajtim të veçantë.
“Ne po zhvillojmë diçka që jo vetëm ilustron përsosmërinë dhe cilësinë, por gjithashtu mbështet standardet më të larta të pajtueshmërisë në çdo hap,”- tha Abehsera.
Vendi i dytë i propozuar për t’u zhvilluar nga Kushner- ku janë planifikuar 1,000 vila plazhi dhe dhoma hoteli – është afër në një komunitet të quajtur Zvernec, ngjitur me Vlorën, qytetin e tretë më të madh të Shqipërisë, ku një aeroport i ri ndërkombëtar është tani në ndërtim e sipër dhe turizmi po lulëzon. Pjesa më e madhe e pronave pranë Vlorës u konfiskua nga qeveria gjatë epokës komuniste dhe mosmarrëveshjet janë zvarritur që nga viti 1991 e deri më tani. Edhe vendi ku pretendohet se do të investojnë Kushner dhe Trump kanë probleme me këto mosmarrëveshje.
Pasi qeveria shqiptare nisi procesin e kthimit të tokave të sekuestruara nga regjimi komunist, një zhvillues i pasurive të paluajtshme i quajtur Artur Shehu, së bashku me anëtarë të tjerë të familjes së tij, ngritën pretendime për pronësinë. Shehu, të cilit iu dha azil në Shtetet e Bashkuara dy dekada më parë dhe të dhënat e gjykatës tregojnë se jeton në Miami, nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Fshatarët në Zvërnec, duke përfshirë familjen Konomi, javët e fundit kanë kontaktuar me Kushner për ta njoftuar me shkrim për pretendimin e tyre se ata zotërojnë tokën ku është planifikuar të ndërtohet hoteli luksoz dhe se nuk ishin të gatshëm të hiqnin dorë.
“Është shumë e qartë se një skemë e madhe korrupsioni po ndodh,”- tha Konomi, një profesor i statistikave në Universitetin e Cincinnati, familja e të cilit ende viziton shpesh një shtëpi që ata kanë në zonë.
Në intervista, drejtuesit e firmës së Kushner thanë se nuk kishin qenë në dijeni të mosmarrëveshjes së tokës.
“Ne jemi të sigurt se po punojmë me titullarët e ligjshëm. Nëse vërtetohet e kundërta, ne do të tërhiqemi me respekt nga blerja,” tha Abehsera në një deklaratë.
Thoma Kola, 81 vjeç, i cili jeton në Zvërnec, tha se kishte frikë se familja e tij mund të humbiste shpejt tokën në veri të fshatit.
“Ne nuk do të jemi në gjendje t’ia lëmë atë fëmijëve tanë,”- tha ai./ZËRI
Marrë dhe përkthyer nga NYTimes
sjpg
gfhjpg
gfjpg
feffa64d124f6019d523726f6e77ecfc88439fac
Burimi