‘Në shtëpinë e saj mund të shkoje vetëm kur nuk ishte i shoqi’, mediat e huaja reportrazh për gruan që u vra nga mësuesi
Indah Lilis Sartika Saragih
TIRANË- Krimi mister që ndodhi të hënën në Tiranë, ku një mësues amerikan vrau gruan e tij, dy qentë dhe veten, ka gjetur pasqyrim dhe në mediat e huaja.
Indah Lilis Sartika Saragih, e cila ishte me pasaportë amerikane, u mbyt me litar nga bashkëshorti i saj 53-vjeçar James Wertz, i cili më pas la dhe një letër lamtumire, ku tregonte se nuk ishte shëruar kurrë nga veset, dhe se po merrte me vete personat e tij më të dashur.
Pasi mbyti të shoqen, Wertz, i cili punonte si profesor në një kolegj privat në Tiranë, vrau me shkop bejsbolli dy qentë e familjes, e më pas u vetëvar me litar.
Por kush ishte Indah Lilis Sartika Saragih? Media indoneziane Tempo.Co shkruan se në mesin e diasporës së këtij vendi, ajo njihej si person mjaft asocial. Një burim i tha medias në fjalë se “në shtëpinë e saj mund të shkoje vetëm kur i shoqi nuk ishte prezent”.
Po sipas të njëjtit burim, që ndodhet në Tiranë prej 10 vitesh, Saragih kishte po ashtu aktivitet minimal në rrjetet sociale.
Sipas Tempo.Co, në kryeqytetin shqiptar jetojnë rreth 50 indonezianë, të cilët në disa raste mbajnë kontakte dhe mblidhen me njëri tjetrin, por ky duket se nuk ishte rasti i Saragih.
“Disa punojnë në qendra masazhi, të tjerë si kamariere/ë në restorante”, tha burimi, teksa shtoi se mbledhjet midis komunitetit ishin të pakta dhe Saragih rrallë merrte pjesë.
Shkaqet e ngjarjes së rëndë, që ndodhi në shtëpinë që çifti kishte marrë me qira në zonën e Laprakës, mbeten të panjohura. Dyshimet janë se 53-vjeçari Wertz e ndërmori aktin e rëndë në kushte të rënduara psikologjike. Megjithatë ngjarja është nën hetim, dhe po shqyrtohen të gjitha provat e mbledhura në banesën e çiftit, por edhe në shkollën ku ai jepte mësim prej disa vitesh. /ZËRI
Burimi