
Në kërkim nga ndërkombëtar nga Venezuela, arrestohet 51-vjeçari italian në Durrës

Antonio Goffredo
DURRËS- Një 51-vjeçar Italian është arrestuar në Portin e Durrësit, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në pranga ka rënë italiani Antonio Goffredo, i cili është dënuar me burg në Venezuelë për veprën penale “Mashtrimi”.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Caracas, për ta ekstraduar 51-vjeçarin në Venezuelë.
“Kapet nga Policia Kufitare dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Venezuelë, një 51-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas në kërkim ndërkombëtar do të udhëtonte drejt Italisë, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen e tij. Si rezultat, u kap në tentativë për të dalë nga Shqipëria dhe u arrestua me qëllim ekstradimin, shtetasi italian A. G., 51 vjeç, banues në Itali.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Caracas, pasi Gjykata e Caracas, në vitin 2017, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, parashikuar nga Kodi Penal i Venezuelës. Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Caracas, për ta ekstraduar këtë shtetas, në Venezuelë”, njofton Policia./ZËRI