Në kërkim nga Kosova, arrestohet në Durrës Dodë Rica, pronari i “Shqiponja Strip Club”

Në kërkim nga Kosova, arrestohet në Durrës Dodë Rica, pronari i “Shqiponja Strip Club”

Foto ilustruese

DURRËS- Policia e Durrësit ka vënë në pranga 47-vjeçarin Dodë Rica, nga Mirdita, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet në Kosovës. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se Rica është pronari i “Shqiponja Strip Club” në Kosovë, dhe ka qenë i shpallur në kërkim për akuzën e trafikimit të qenieve njerëzore.
Pronari i klubit të striptizimit “Shqiponja”, Dodë Rica që nga viti 2019 ka qenë duke u hetuar nga Prokuroria Speciale në Kosovë, për vepra të ndryshme penale, përfshirë atë të shmangies së tatimeve. Bazuar në regjistrin e bizneseve në Kosovë, ai ka të hapura 5 njësi biznesi, njëra në Prishtinë dhe 4 tjera në Gjakovë. Emri i Ricës, përmendet edhe në vitin 2018 teksa tentonte të hapte një strip klub poshtë bodrumit të Hotelit Grand në Prishtinë.
NJOFTIMI I POLICISË
Vijon megaoperacioni “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
I akuzuar në Kosovë, për trafikim personash, vihet në pranga në lagjen nr.13, me qëllim ekstradimin, 47-vjeçari, pronar i një lokali nate, në Prishtinë.
Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, si dhe si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera ndërmjet Interpol Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, Forca e Posaçme Operacionale dhe Seksioni kundër Trafiqeve, të DVP Durrës, kapën në lagjen nr.13 dhe vunë në pranga, me qëllim ekstradimin në Kosovë, shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar D. R., 47 vjeç, i lindur në Mirditë.
Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikim personash”.
Interpol Tirana po bashkëpunon me agjencitë ligjzbatuese në Kosovë, për të finalizuar ekstradimin e shtetasit D. R./ZËRI 
Burimi