Ndryshimet në Kodin Zgjedhor përfundojnë në Kushtetuese, as partitë e vogla nuk janë në një ‘mendje’

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor përfundojnë në Kushtetuese, as partitë e vogla nuk janë në një ‘mendje’

Rezart Kthupi

TIRANË- Ndryshimet e Kodit Zgjedhor që u miratuan në seancën e fundit të 26 Korrikut, kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese. Ka qenë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, që drejtohet nga Dashamir Shehi, ajo që ka dorëzuar këtë të enjte padinë në Kushtetuese, duke pretenduar se listat gjysmë të hapura, të miratuara ng PS-PD, kufizojnë dhe zvogëlojnë të drejtat e qytetarëve për të zgjedhur.
Padia është nënshkruar nga Dashamir Shehi, në cilësinë e kryetarit të LZHK-së dhe është dorëzuar nga avokati Rezart Kthupi, i cili më herët ka përfaqësuar interesat e grupimit të Lulzim Bashës.
“Dorëzova kërkesë-padinë që kishte për objekt shfuqizimin e asaj pjese të kodit zgjedhor që cenonte atë që ishte diskursi më i madh politik, ai i listave të hapura. I kemi kërkuar Gjykatës shfuqizimin e asaj pjese që mbyll përfundimisht listat në versionin më të keq në krahasim me vitin 2021 dhe të shqyrtojë çështjen proceduriale sesi është miratuar ky ligj. Në gjykimin tonë çështja e listave të hapura janë momenti kyç që mund të sjellë ndryshim e demokratizim të partive politike dhe interesi i qytetarëve”.
Në një deklaratë për mediat ai tha se e ka dorëzuar padinë në cilësinë e avokatit, në emër të partisë së Shehit, pasi partitë e vogla opozitare kanë mendime të ndryshme juridike dhe vendosën që paditë t’i bëjnë të veçanta.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor u miratuan në seancën e 26 Korrikut në Kuvend me 105 vota pro dhe 2 kundër. Kundër këtyre ndryshimeve ishte shprehur dhe Lulzim Basha, i cili ka mbetur pa parti, por deri tani nuk është depozituar asnjë padi nga ana e tij. /ZËRI
Burimi