‘Mos i shihni vëngër’/ Berisha porosi demokratëve: Le t’i mirëpresim të rikthyerit, harroni hatërmbetjet!

‘Mos i shihni vëngër’/ Berisha porosi demokratëve: Le t’i mirëpresim të rikthyerit, harroni hatërmbetjet!

Sali Berisha

TIRANË- Kreu demokrat Sali Berisha u shpreh se duhet të bëhet gjithçka për të mirëpritur në shtëpinë e tyre të gjithë ata demokrate dhe demokratë që e ndjejnë veten të tillë dhe duan të bashkohen me PD-në. Berisha tha se asnjë nga ne nuk duhet të shikojë vëngër apo me skepticizëm ata që duan të bashkohen me ne. Ai u shpreh se një front i gjerë dhe i bashkuar opozitar është i një rëndësie vendimtare. Berisha tha se Edi Rama është në pushtet, dhunon çdo ligj e Kushtetutë të këtij vendi, edhe për faktin se ne e lejojmë atë.
FJALIMI I PLOTË:
Mirëdita dhe përshëndetje, përshëndes anëtaret dhe anëtarët e PD, drejtuesit e saj. E konsideroj këtë mbledhje shumë të rëndësishme, në një moment të veçantë të PD, në një moment kur një kalvar i vërtetë, i imponuar në mënyrë antikushtetuese, antiligjore nga Edi Rama dhe regjimi i tij merr fund. Kryesia mblidhet sot me moton më kryesore të bashkimit të të gjithë demokratëve rreth flamurit të partisë së tyre. Dmth rreth idealeve, rreth kontributeve dhe mendoj se mesazhi më kryesor që përcjell kjo mbledhje sot është, mirëpritja e të gjithë aty të cilët ndër vite dhanë kontributet të pamohueshme në këtë parti dhe që për një arsye apo një tjetër, për një arsyetim, apo një tjetër, kanë hezituar të bashkohen me shumicën duke përdorur, ose duke patur si shkak çështjen e logos, flamurit të cilat si një padrejtësi e madhe, morën fund këto ditë. Ndaj dhe unë siç e kam bërë në mënyrë të përsëritur, e bëj përsëri thirrjen për të gjithë demokratët që besojnë në idealet që kanë mbrojtur në kontributin që kanë dhënë, të bashkohemi dhe të vazhdojmë betejën tonë. Theksoj këtu ky nuk është një bashkim në festë, por një bashkim në betejë. Në betejë të një rëndësie jetike, vendimtare për fatin e Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Duke theksuar këtë unë ju drejtohem ju, anëtarëveu dhe anëtareve të kryesisë së PD, është në detyrën taj më të parë sikundër të të gjithë strukturave të partisë sonë, të bëjmë gjithçka për të mirëpritur në shtëpinë e tyre, të gjithë ata demokrate dhe demokratë që e ndjejnë veten të tillë, dhe duan të bashkohen me ne. Asnjëri nga ne, nuk ka të drejtë të shohë asnjë prejt tyre në sy vëngër apo me hatërmbetje apo me skepticizëm. Nëse kemi parasysh faktin se ky është bashkim në betejë, secili para se ti lejojë vetes skepticizmin apo shpërfilljen, duhet të mos harrojë se i bën një shërbim armikut tonë të përbashkët, armikut të egër të shqiptarëve, Edi Ramës. PD ka nevojë të bashkohet jo vetëm me të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e saj, por ka nevojë të bashkohet sot më shumë se kurrë me të gjithë spektrin opozitar. Sot në kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria dhe shoqëria shqiptare, një front i gjerë dhe i bashkuar opozitar është i një rëndësie vendimtare. Nuk ka asnjë motiv, arsye që Edi Rama të vazhdojë të qeverisë më tej, përveç dobësisë së opozitës, mungesës së aksionit të opozitës. Opozita duhet të angazhohet dhe do të angazhohet në një mobilizim të paparë. Unë garantoj shqiptarët se shumë më shpejt se ata mund ta mendojnë, qeveria teknike krijohet në Shqipëri. Natyrisht asgjë nuk arrihet pa sakrifica, por asgjë nuk meriton më shumë sakrificën se sa shpëtimi i Shqipërisë nga një regjim që po bën shfarosjen e ëmbël të shqiptarëve duke i përzënë ata në dhera të tjera, sa asnjë pushtim tjetër në historinë e këtij vendi. Që po shtyp, burgos opozitën dhe zhduk çdo hapësirë demokratike për të. Edhe njëherë them, meqenëse jemi në këtë kampionat futbolli; topi është në anën e opozitës. Edi Rama ka humbur çdo gjë, ka humbur ligj, moral dhe ka vetëm narkobandat e tij me pushtet dhe jashtëpushteti që qëndron në zyrë. A është bërë prova? Jo nuk është bërë prova. U bashkuam, tani duhet të përgatitemi për provën dhe fitoren. Nuk bëjmë provë për të dështuar, ne bëjmë provë për të fituar dhe ne do të fitojmë. Ju përshëndes dhe përgëzoj për punën që bëni, si dhe shpresoj që Këshilli Kombëtar që thirret nga kjo mbledhje dhe mblidhet për të miratuar rezolutën që diskutoni sot, tu japë përgjigjen më të merituar, problemeve me të cilat përballet shoqëria shqiptare, përballet Shqipëria.
Faleminderit shumë!
Burimi