Ministri i Bujqësisë: Për herë të parë nga paslufta, Kosova siguron bukën për gjithë vitin

Ministri i Bujqësisë: Për herë të parë nga paslufta, Kosova siguron bukën për gjithë vitin

gruri ne kosove

KOSOVË- Ky vit pritet të shënojë rekord për sa u përket rendimenteve të grurit në Kosovë. Madje, sipas Ministrisë së Bujqësisë, për herë të parë në historinë e Kosovës së pasluftës sigurohet buka për gjithë vitin.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka thënë sot për herë të parë pas luftës Kosova siguron bukën e motmotit.
Peci në një video të publikuar në Facebook shkruan se në Novolan të Vushtrrisë do të fillojnë zyrtarisht fushatën e korrjeve shirjeve për këtë vit.
“Të dhënat nga terreni tregojnë se fatbardhësisht për herë të parë në historinë e Kosovës së pasluftës ne sigurojmë bukën e motmotit. Një angazhim i tillë është falë përkrahjes së qeverisë, punës së zellshme të fermerëve dhe begatisë prej Zotit”, tha ai.
Ministri i Bujqësisë tutje tha se kjo është edhe një tregues i qartë se me angazhim të sinqertë dhe punë meritore nuk ka objektiv që nuk arrihet.
“Zoti e bekoftë bukën e Kosovës, Zoti e bekoftë popullin e Kosovës”.
Edhe profesori universitar, Imer Rusinovci, konsideron se prodhimtaria e grurit këtë vit qoftë për nga sasia, qoftë për nga cilësia, është më e mirë se vitin e kaluar.
“Prodhimtaria e grurit këtë vit është më e mirë, qoftë për sasi të prodhimit, qoftë për cilësi. Tani korrjet kanë filluar edhe në rrafshin e Kosovës. Unë isha prezent në disa sondazhe në Komunën e Lipjanit dhe prodhimtaria ishte diku 6 deri në 7 tonë, që do të thotë dukshëm më e lartë në raport me vitet e kaluara”.
Vitin e kaluar kanë qenë 100 mijë hektarë me drithëra ku 66 mijë hektarë ishin me grurë.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se vendi ka mbi 512 mijë hektarë tokë të përshtatshme për bujqësi, por për qëllime të ndryshme shfrytëzohen mbi 420 mijë hektarë.
Sipas ASK-së, rreth 189 mijë hektarë shfrytëzohen për rritjen e kulturave bujqësore, mbi 217 mijë hektarë hyjnë në kategorinë e livadheve dhe kullotave, ndërsa sipërfaqet e tjera janë plantacione për pemë, perime dhe kopshte.
Kosova, prej vitesh, përballet me deficit të lartë tregtar, që do të thotë se importon më shumë sesa eksporton, përfshirë këtu edhe prodhime bujqësore.
Vendi nuk i plotëson as nevojat e popullatës për grurë dhe importon nga fqinjët ose vendet e Bashkimit Evropian.
Prodhimi vendor i grurit, ndër vite, është rreth 300 mijë tonë, kurse nevojiten mbi 410 mijë tonë./Monitor
Burimi