Ministri Hasani ‘përplaset’ me Lajçak: Rri tek dialogu Kosovë-Serbi, do jemi të lumtur nëse do ketë rezultate

Ministri Hasani ‘përplaset’ me Lajçak: Rri tek dialogu Kosovë-Serbi, do jemi të lumtur nëse do ketë rezultate

Igli Hasani

KROACI- Në Dubrovnik të Kroacisë është duke u zhvilluar një forum, në të cilin kanë marrë pjesë diplomatët e rajonit, por emisari i BE-së Miroslav Lajçak dhe Ndihmës Sekretarin për Evropë James O’Brien. I pranishëm në panel është edhe ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, i cili ka folur për procesin e integrimit të vendit tonë në BE, teksa ka theksuar se Shqipëria do të vazhdojë të përmbushë kriteret që i janë vendosur nga Unioni.
I pyetur nga moderatori gazetari Michael Martens nëse procesi i anëtarësimit në BE është një proces i bazuar në merita, kryediplomati shqiptar ka adresuar kritika duke thënë se “forcat centripetale drejt BE-së duhen rritur”. Në fjalën e tij në Forum, Hasani theksoi se ne, në Ballkanin Perëndimor duhet të fillojmë të sjellim në tryezë zgjidhje, të gjejmë një mënyrë për të ecur përpara nga të gjitha problemet që na pengojnë, çka do të sjellë më shumë prosperitet, paqe dhe siguri për këtë rajon. Por përgjigjia ka sjellë një ‘përplasje me Lajçak.
Debati:
“Kam vështirësi të kuptoj se vendi im e ka organizuar vetëm një konferencë ndërqeveritare (Shqipëri-BE), dhe po ashtu edhe tjerët kanë bërë këtë. Kaq”, ka thënë ai.
Kryediplomati Hasani i është referuar konferencës së parë Shqipëri BE të vitit 2022, për çeljen e negociatave.
“Ndihem i obliguar që të përgjigjem në pyetjen që i bëri ministrit Hasani. Dua të them se ky proces është absolutisht i bazuar në merita. Ka shumë politikë dhe gjeopolitikë në fazën përgatitore, vendimi për të dhënë statusin e kandidatit, ftesa për hapjen e negociatave për anëtarësim, por pasi të jeni në proces të anëtarësimit ju duhet të përmbushni kriteret, s’ka rrugë të shkurtër” ka thënë Lajçak.
Por, ndaj këtij konstatimi ka reaguar menjëherë kryediplomati shqiptar.
“Nuk thash asnjëherë rrugë të shkurtra..me gjithë respektin ti je për dialogun Beograd -Prishtinë. Kështu që dua të jem i qartë në një gjë. S’kemi kushte për kushtet që na janë vënë. Le të jem i qartë për këtë”, ka thënë Hasani.
Lajçak i reagoi duke thënë se “nuk jam duke polemizuar me ty Igli”.
I menjëhershëm ishte reagimi i Hasaniit i cili në mënyrë të drejtëpërdrejtë i kërkoi që të merret me dialogun Kosovë -Serbi, madje me ironi duke ia përmendur rezultatet.
“Po, po, por rri te dialogu, do të jemi të lumtur nëse ke ndonjë rezultat, do të mbështesim, do të mbështesim vazhdueshëm sic kemi bërë…por rri te dialogu”, tha Hasani.
Ndërkohë udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, u takuan në 26 qershor në Bruksel me shefin e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe të dërguarin evropian Miroslav Lajçak, por jo edhe me njëri tjetrin. Një takim ky sërish pa rezultat. Ndërmjetësuesit provuan një takim të përbashkët në atë që disa vëzhgues të pavarur e shohin si një shfaqje që do t’u mundësonte atyre të deklarojnë se procesi vazhdon, ndërsa palëve mund t’u sigurojë përfitime nga Plani Evropian i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përmes ripërkushtimit ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve. 
Mungesa e takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç u konfirmua edhe nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian Borrell. Borrell tha Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë. Borrell tha se në bisedimet dypalëshe Kosova paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë. Por sipas tij, Serbia nuk ishte e gatshme të pranonte kushtet e vendosura nga Prishtina./ZËRI
Burimi