Meta-Kryemadhi, dritëhijet e divorcit të vitit

Meta-Kryemadhi, dritëhijet e divorcit të vitit

Monika Kryemadhi, Ilir Meta dhe gazetarja Florida Mingla

TIRANË- 26 vite martesë mes çiftit jetëgjatë në politikë, të dy protagonistë dhe aktivë në këtë fushë, po merr fund. Ishte kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ai që bëri me dije se ka dorëzuar padinë në Gjykatë.
Por si erdhëm deri në këtë pikë?

Dyshja kanë pasur përplasje të herëpashershme përsa u përket pikëpamjeve politike, por asnjëherë nuk na kanë lënë të kuptojmë që celebrimi që u krye në Bashkinë e Tiranës në vitin 1998, do të thyhej një ditë.
Kryemadhi, përtej kapaciteteve, dëshirës dhe aftësisë për të çarë në politikë, ka qenë gjithmonë gruaja që ka qëndruar pas bashkëshortit të saj, që prej themelimit të LSI në vitin 2004. Kur Meta u zgjodh President, Kryemadhi nuk e pranoi postin e Zonjës së Parë që ia la të bijës, Erës, lëvizje që nisi përçarjet e tyre të para si çift.
Krisja e dytë erdhi në vitin 2019, kur Partia Demokratike në bashkëpunim me LSI-në morën vendimin për të djegur mandatet, duke u hapur rrugën emrave të tjerë në lista që të futeshin në Kuvend, gjë që solli një çekuilibrim të rolit të Opozitës, pasi shumë prej tyre pranuan ulëset në Kuvend.
Kjo doli jashtë parashikimit dhe bëri që si kryedemokrati Sali Berisha edhe Meta, të distancoheshin nga ky vendim i marrë nga Lulzim Basha në atë kohë dhe Kryemadhi.
Për kreun e Partisë së Lirisë çështja e mandateve ka krisur gjithçka në besimin mes tyre, jo vetëm si bashkëpunëtorë në politikë, por edhe në marrëdhënien bashkëshortore. Nga shkresa e depozituar në gjykatë, duke se dyshja në fjalë nuk i kanë lënë debatet politike në zyrë, por i kanë marrë me vete në shtëpi, aty ku siç duket dëshmitarë janë bërë edhe fëmijët.
Asgjë s’u la me kaq.
Rrudhja e LSI-së ndodhi dy vite më vonë, kur kjo parti mbeti me vetëm katër deputetë, duke njohur fundin e saj dhe pikën më kritike në 17 vite ekzistencë.
Për rrjedhojë, nuk do të ishin të pakta rastet kur Meta publikisht do të drejtonte gishtin tek bashkëshortja e saj duke e bërë fajtore për dobësimin e Opozitës dhe favorizimin e maxhorancës, qoftë edhe pa e pasur këtë gjë si qëllim.
Lëvizja Socialiste për Integrim ndërroi fytyrë dhe u kthye në Partinë e Lirisë që tashmë ka për President Ilir Metën dhe me frazën ‘s’mund të kemi dy shoferë’, Kryemadhi mbeti jashtë.
Paralelisht Monika Kryemadhi prej vitesh kishte nisur një valë denoncimesh për inceneratorët, kauza e vetme për të cilën deputetja është komplimentuar nga Meta, por SPAK kishte mësyrë në shtëpitë e familjes Meta-Kryemadhi, duke nisur hetimet për pasurinë e tyre.
Kryemadhi është parë shumë herë në dyert e SPAK bashkë me të ëmën, ku ka dhënë llogari për ngritjen e pasurisë, të ardhurat, shkollimin e fëmijëve jashtë Shqipërisë dhe jo vetëm. Por, kur ende nuk dihet asgjë nga dëshmitë e Kryemadhit, vetë Meta e bëri përgjegjëse për çdo lëvizje financiare atë që tashmë e konsideron ish-grua. Kryemadhi ka paguar gjithçka sipas tij, ka firmosur gjithçka, ka blerë e shitur gjithçka, madje edhe për fëmijët, për Metën janë përgjegjësi e saj.
Përtej faktit që martesa e ka humbur funksionin e saj mes tyre si çift, keqardhja e kreut të Partisë së Lirisë nuk ishte mbi marrëdhënien personale, por mbi një kufi imagjinar që Meta donte të vinte në përfshirjen apo mospërfshirjen e tij në hedhjen e firmave në deklarimin e pasurisë së tyre si familje.
Qëllimi duket se është mbajtja larg e SPAK nga ai, Ilir Meta, pasi duket se Kryemadhit do t’i duhet të përgjigjet deri në fund çdo letre që ka firmosur.
Kjo na bën të kthehemi edhe njëherë në deklaratën e bërë nga deputetja në Kuvend, kur tha se “gratë bëhen ‘mish për top’ për burrat e tyre”. A është ky rasti?
Koha do ta tregojë…
Burimi