‘MEDIU’/ Si u justifikua ish-ministri për 26 viktimat e Gërdecit: Nuk mund të më pyesin mua për kalibrat
Fatmir Mediu
TIRANE- Dje u zhvillua seanca e radhës ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili 16 vite nga tragjedia e Gërdecit ku humbën jetën 26 qytetarë, deklaron sërish se ai nuk ka patur asnjë përgjegjësi mbi aktivitetin e demontimit të armëve. Mediu tha se një ish-ministër nuk mund të pyetet për kalibrat, edhe pse kjo akuzë lidhet me shpërdorimin e detyrës. Por Mediu shprehet se vendimet kalibrat vijnë të firmosura nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, këshilltari i lartë ushtarak edhe i kryeministrit dhe presidentit.
“Ne jemi në fazën e diskutimit të aktit të ekspertizës dhe ky është akti i ekspertizës tekniko-ushtarake dhe siç e do rregulli procedurial ne kërkuam që të thërriten ekspertët për ta zhvilluar atë debat me ekspertët. Kërkesa e dytë ishte që të gjithë fashikujt që kanë të bëjnë me aktin e shqyrtimit në gjykatë të bëhen pjesë e fashikujt gjyqësorë sepse janë disa të vërteta. Megjithatë tej kësaj, dua dhe njëherë të them, që në një vend jo-diktatorial do ta kishte zili kur kërkohet për shpërdorim detyre sepse janë rritur apo nuk janë rritur kalibrat e municioneve. Është licensuar apo nuk është licensuar depo e municionit. Si është organizuar dhe kush e ka organizuar transportin e municioneve dhe kush e ka paguar dhe gjëra të tjera siç ishinb ato absurde në aktin e ekspertimit ekonomik. Dua ta bëj të qartë që urdhrat e ministrit, jo vetëm për përgatitjen e tyre, kanë marrë mendimin e të gjithë nivele ushtarake, por edhe në ekzekutimin e tyre nuk ka pasur asnjë lloj kontestimi. Unë nuk di se si një ministër sot apo edhe dje mund të jap një mendim se çfarë janë kalibrat sepse nuk është specialist ushtarak. Kushtetuta dhe ligji thotë se ministri civil është një njeri politik. Kur mendimi vjen i firmosur nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, këshilltari i lartë ushtarak, i ministrit, i kryeministrit dhe presidentit, nuk mund të ketë autoritet për ta pyetur. Nuk do ishte korrekte dhe nuk do kishte mundësi ta bëjë. Nuk mund të vërë në mëdyshje akte që janë programi si demontimi apo praktika të mbrojtjes si anëtarësimi i Shqipërisë në NATO”, tha Mediu.
Më 9 tetor, GJKKO refuzoi kërkesën e Mediut për riekspertim pjesor për kostot e dëmit financiar të shkaktuar në Fabrikë. SPAK deklaron nga akti i ekspertimit financiar dalin dëmet e shkaktuara nga veprimet dhe mosveprimet e Mediut, gjë që sipas organit të akuzës provon shpërdorimin e detyrës prej tij. Këto pretendime janë kundërshtuar nga Mediu. Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”./ZËRI
Burimi