Me snajper në krahë/ RENEA zbret në terren, trafikantët qëllojnë në ajër
pamje nga operacioni
SHKODËR- Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar gjatë një operacioni antikanabis në Malësi të Madhe. Sapo trafikantët kanë parë efektivët e policisë në terren, kanë qëlluar me armë zjarri në ajër dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ngjarja ndodhi mëmgjesin e sotëm, ku në videon e Policisë dëgjohen 6 të shtëna në ajër, ndërsa forcat speciale në rresht të armatosur, disa prej tyre dhe me snajper në dorë vijojnë rrugën e tyre.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 10:00, në vendin e quajtur “Bjeshka e Parus”, shtetas ende të paidentifikuar kanë qëlluar në ajër, me armë zjarri, kur kanë parë shërbimet e Policisë të cilat po kryenin kontroll të territorit në njësinë administrative Shkrel, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Menjëherë në ndihmë të Policisë vendore janë nisur forcat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në drejtimin e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, po në ndihmë të Policisë vendore, u dërguan Forcat Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër dhe grupe speciale të RENEA-s me helikopter. Forcat operacionale në terren, përkundrejt asgjësimit dhe shkatërrimit të bimëve narkotike, vazhdojnë operacionin për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të qëllimit me armë zjarri. Ndërkohë grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për sigurimin e provave me qëllim dokumentimin ligjor të rastit.
Ndërkohë pas kësaj ngjarje janë nisur drejt Repishtes forcat speciale të RENEA, FNSH dhe forca të tjera të policisë Shkodër në kërkim të personit që qëlloi me armë zjarri gjatë kontrolleve të policisë për goditjen e parcelave te drogës./ZËRI
Burimi