Më pak produkte bulmeti në Korrik/ UIet konsumi, turistët nuk kompensojnë largimet e vendasve
Foto ilustruese
TIRANË- Ndërsa pritshmëritë e prodhuesve të produkteve të bulmetit ishin më të larta në muajt e verës, sivjet ecuria e konsumit është ndryshe.
Disa nga kompanitë përpunuese të qumështit në vend pohojnë se konsumi për mallrat e bulmetit në muajt në muajin korrik ishte me rënie krahasuar me vjet, për shkak të mungesës së turistëve. Ndërsa ka filluar të ndihet ndryshimi në muajin gusht.
Taulant Pupa drejtuesi teknik i fabrikës së përpunimit të qumështit “Vita 2001” tha se kërkesa për produkte të bulmetit ka rënie të lartë krahasuar me vjet, veçanërisht në strukturat e hotelerisë për shkak të fluksit jo të lartë të turistëve.
“Konsumi është jashtë çdo parashikimi. Rënia krahasuar me vjet është e lartë”, pohoi ai. Nga shtimi i lartë i turistëve vjet shitjet e kompanisë përgjatë sezonit turistik sipas drejtuesit të saj u shtuan rreth 30% krahasuar me vitin paraardhës.
Ndërsa Luis Ndreka nga kompania ADG (ish “Lufra”) tha se trendi i kërkesës për konsum sivjet ka ndjekur të njëjtën ecuri të fluksit të turistëve.
“Ecuria e konsumit deri në muajin qershor ka qenë pozitive. Ka pasur rritje të kërkesës. Teksa ecuria e kërkesës për muajin korrik ka qenë e ngadaltë, pothuajse në nivelet e vitit të kaluar. Nuk ndihej rritje kërkese. Ndërsa në muajin gusht ka filluar të ndihet ndryshimi i konsumit, që është me rritje krahasuar me vjet”, pohoi Ndreka.
Deri në muajin qershor numri i turistëve arriti në 4,5 milionë sipas të dhënave të INSTAT apo 23% më shumë se vjet. Për 7 mujorin numri i turistëve arriti në 6,3 milionë. Numri i tyre për muajin korrik që arriti në 1,75 milionë ra 1% krahasuar me korrik 2023.
Po a arrin ardhja e turistëve të kompensojë rënien e konsumit që shkaktohet nga ndryshimet demografike? Duke marrë në konsideratë edhe të dhënat e Censusit 2023, për pakësim të numrit të popullsisë me 420 mijë banorë krahasuar nga rezultatet e Censusit 2011, për drejtuesit e fabrikave përpunuese të qumështit, largimet e popullatës vijojnë të përkeqësojnë konsumin.
“Me një perceptim mund të them që nuk arrijnë ta mbulojnë të gjithë konsumin e banorit që qëndron këtu gjithë vitin, me atë të një turisti që qëndron mesatarisht 3 ditë. Duhen 100 turistë për 1 banor me një llogari të thjeshtë. Dhe për 420 mijë banorë më pak do të duheshin 42 mln turistë për ta kompensuar”, tha z. Ndreka.
Kujtojmë se për periudhën nga marsi i vitit 2022 deri në shtatorin e vitit 2023 çmimet e produkteve të bulmetit shënuan rritje të fortë deri në 40% për shkak të shtrenjtimit të qumështit si lëndë e parë, çka ndikoi te rënia e konsumit.
Aktualisht çmimet e mallrave të bulmetit janë më lirë. Tendenca rënëse e çmimeve nisi nga shtatori i vitit të kaluar. Rënia e fundit e çmimeve ka ndodhur në fillim të muajit maj, ku disa operatorë në treg ulën çmimet e produkteve të kosit, djathit të bardhë dhe djathit kaçkavall nga 8 deri 10%.
Në vitin 2023 sipas të dhënave të INSTAT sasia e qumështit të grumbulluar në vend arriti 101 mijë tonë. Krahasuar me 2022 sasia e qumështit të grumbulluar ra 8%.
Ekspertët e blegtorisë parashikojnë se rënia e çmimit të qumështit që nisi që në muajin prill këtë vit, veçanërisht të imtave do të sjellë rënia të tufave të bagëtive dhe shtimin e vështirësive për blegtorët. /MONITOR
Burimi