Mbetjet toksike, Meta kërkon hetim parlametar: Të bashkohemi me opozitën
Ilir Meta
TIRANË-Shqipëria ka ngritur ‘alarmin’ për të gjitha vendet e botës për shkak të përfshirjes së vendit në tregtinë ndërkombëtare të mbetjeve toksike. Paqartësia se si u përfshi Shqipëria në skandalin e mbetjeve toksike ka sjellë reagime të shumta nga opozita, por edhe nga Partia e Lirisë. Kreu i PL, Ilir Meta sërish është ndalur në rastin e ngarkesës prej 800 ton mbetjet toksike të dërguara drejt Tajlandës.
Kreu i PL kërkoi hetim parlamentar, ndërsa shtoi se deputetët e PL duhet të bashkohen me deputetët e tjerë të opozitës për këtë hetim. Meta shtoi se ky skandal dëmton edhe imazhin e Shqipërisë se destinacion turistik.
“Skandal që kërkojmë hetim parlamentar. Edhe deputetët tanë të bashkohen me ata të opozitës për të hetuar e për të bashkëpunuar me autoritetet ndërkombëtare për këtë skandal që dëmton edhe imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik”, tha ai.
Udhëtimi i kontejnerëve të dyshuar ka vënë alarmin në shumë vende që kur u ngarkuan në portin shqiptar të Durrësit në korrik, me destinacion përfundimtar Tajlandën e planifikuar për në fund të këtij muaji. Bëhet fjalë për një ngarkesë 1600 tonë mbetje toksike të ngarkuara në Shqipëri. Tajlanda refuzoi të pranonte dërgesën pasi u njoftua për përmbajtjen e saj të rrezikshme nga grupet mjedisore. Pluhuri i furrës, i cili kërkon trajtim, është një produkt mbetjesh i rrezikshëm që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin. Autoritetet tajlandeze dhe rrjeti i Bazelit kanë konfirmuar zyrtarisht se Shqipëria nuk ka autorizuar zyrtarisht eksport mbetjesh./ZËRI
Burimi