‘Mbështesim kërkesën për qeveri teknike’, Meta hedh akuza të forta: Ushtria përdoret për të mbjellë kanabis
Ilir META
TIRANË- Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë sot në një konferencë për mediat, një ditë pas protestës së opozitës përpara kryeministrisë.
Meta renditi arsyet pse aksioni dhe protesta e opozitës duhet të vazhdojë, ndërsa tek arsyet, ai ngriti akuza të forta duke thënë se një pjesë e ushtrisë përdoret për të mbjellë kanabis sativa.
“Të gjithë e dinë se produktet e Ballkanit të Hapur kanë përmbytur tregun tonë dhe kanë falimentuar fermerin shqiptar. Jemi një vend që qeveriset nga një bandë e pashpirt që vjedhin edhe racionin e fëmijëve, edhe ilaçet e tumoreve dhe grabisin edhe tokat e komuniteteve fetare, marrin ryshfet edhe nga varrosjet e qytetarëve.
Ndërkohë, Edi Rama i ka kthyer zyrat e shtetit si më të sigurtat për kriminelët. Një pjesë e ushtrisë përdoret për të mbjellë kanabis, ndërsa fiken radarët. Janë kaq shumë arsye për të protestuar”, tha Meta.
Sa i takon kërkesës për qeveri teknike, e artikuluar dhe në protestën e djeshme të opozitës, Meta u shpreh: “Unë jam i bindur që vendi ka nevojë për qeveri teknike. E mbështes plotësisht këtë objektiv të shpallur nga lideri Sali Berisha dhe unë jam i bindur që do ta fitojmë këtë betejë, sepse ne udhëhiqemi nga interesi publik. Na mbetet të organizohemi shumë herë më fuqishëm për të imponuar jo vetëm këtë kerkesë por edhe shumë të tjera”.
Burimi