“Marklen Haka u rikthye në “lojë””/ Artan Hoxha për arrestimin: S’ka qenë kurrë në Dubai, së fundmi po ‘lëvizte’ lirshëm

“Marklen Haka u rikthye në “lojë””/ Artan Hoxha për arrestimin: S’ka qenë kurrë në Dubai, së fundmi po ‘lëvizte’ lirshëm

Artan Hoxha

TIRANË- Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje të reja lidhur me aksionin për arrestimin e Marklen Hakës. I ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë”, Artan Hoxha tha se Marklen Haka nuk ka qenë kurrë në Dubai dhe aq më pak nuk ka qenë i arrestuar në vendin e Emirateve të Bashkuara Arabe. Sipas tij, Haka ka qëndruar gjithmonë në Nikël, por së fundmi ka rënë në sy për shkak se kishte nisur që të qarkullonte më lirshëm në zonë. 
Kjo ka nxitur dyshimet se i riu mund të kishte nisur që të planifikonte ndonjë hakmarrje në zonën e tij, ndaj edhe Policia ka ndërhyrë për ta vendosur në pranga. 
“Marklen Haka ishte zbathur, ishte një mesazh për të tjerët, jo vetëm për atë. Marklen Haka është një personazh me peshë në atë zonë. Unë më shumë e mbaj mend në burg sesa në lirim. Ngjarja që e riktheu fuqishëm në lojë është vrasja e hallës së tij. Marklen Haka është një njeri me shumë ndikim, nëse e kishe rival duhet të bëje shumë kujdes. Ishte një njeri me lidhje të forta. Nuk është larguar kurrë nga zona. Edhe për Gentjan Bejtjan dyshohet se ishte i përfshirë tek atentati i 2019 (u plagos edhe Haka). Marklen Haka nuk ka shkuar kurrë në Dubai. Nuk ka lëvizur kurrë nga zona. Gjatë gjithë kësaj kohe kur dilnin lajme se ai ishte arrestuar dhe ndodhej në Dubai, në fakt ishte në Nikël, nuk po fshihej më dhe po dilte. Po dilte edhe jashtë zonës së Niklës. Ai nuk ka qenë në banesë tek kushëriri i tij, i cili ishte gjithashtu në kërkim. Policia më tepër ka nxituar për ta kapur për shkak se ai po lëvizte. Kjo e ka nxitur që të reagonte Policia. Nëse do të thyhet një personazh si Marklen Haka, gjë që dyshoj se do të ndodhë. A po përgatiste ndonjë gjë, apo kishte ulur vigjilencën? Këtë do e marrim vesh nga hetimet,”-tha ndër të tjera në fjalën e tij gazetari.
Por kush është Marklen Haka?
Marklen Haka është emër i njohur për drejtësinë. Në janar të vitit 2020 Marklen Haka u arrestua nga forcat RENEA gjatë një operacioni te shtrirë në disa qytete të vendit. Ai ka qenë i arrestuar më herët për një vrasje të ndodhur në Qershor të viti 2011 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, por të dyja herët u lirua për mungesë provash. Marklen Haka, në shtator të vitit 2019 i ka shpëtuar një atentati në derë të shtëpisë së tij, ku mbeti e vdekur halla e tij, Shpresa Basha. Vetë ai mori një plumb në nofull.  
Marklen Haka i njohur si anëtar i Bandës së Niklës u arrestua një ditë më parë (6 shtator) në kuadër të operacionit “Revanshi”. Marklen Haka alias Marklen Aliu  kishte rreth një muaj që kishte ardhur nga Dubai ku jetonte prej kohësh. Dyshohet se ai ka hyrë në vend ilegalisht nga Kosova. Haka akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, pjesëmarrje në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje./ZËRI
Burimi