Mandati i Olta Xhaçkës, PS-PD arrijnë dakordësinë, Kuvendi merr vendimin në 12 Shtator

Mandati i Olta Xhaçkës, PS-PD arrijnë dakordësinë, Kuvendi merr vendimin në 12 Shtator

Keshilli i legjislacionit

TIRANË- Është mbledhur këtë të martë Këshilli i Legjislacionit në Kuvend, ku po diskutohet në lidhje me mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Kryetarja e Këshillit të Legjislacionit Dhurata Çupi paraqiti në nisje të seancës raportin e Partisë Demokratike, ku nënvizoi detyrimin e Kuvendit të votojë dërgimin e mocionit për Xhaçkën në Kushtetuese.
Sipas saj Kuvendi nuk ka hapësirë për interpretimin e normave kushtetuese, ndaj duhet të votojë pro mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Ola Xhaçka dhe dërgimin e çështjes në Kushtetuese.
“Kuvendi ka detyrimin që të votojë për dërgimin e këtij mocioni në Gjykatën Kushtetuese, si mënyra e vetme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mënyra e vetme e zgjidhjes së këtij konflikti kompetencash. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese. Kuvendi nuk ka hapësirë për interpretimin e normave kushtetuese, pasi nuk është në pozitat e interpretuesit të parë dhe origjinal të tyre, për sa kohë që për çështjen konkrete është shprehur Gjykata Kushtetuese, e cila në vendimmarrjen e saj ka konstatuar se mocioni i jo më pak se 1/10-ës së deputetëve plotëson kriteret juridiko-formale për vënien e saj në lëvizje nga Kuvendi, ndaj ky i fundit nuk ka pasur hapësirë për të vlerësuar sërish ato”, tha Çupi.
Nga ana tjetër edhe deputetët socialistë dhanë dakordësinë e tyre, që vendimi i Kushtetueses për mandatin e deputetes Olta Xhaçka të futet në rendin e ditës në seancën e parë të Kuvendit në sesionin e ri parlamentar, që përkon me datën 12 Shtator.
Deputetja Klotilda Bushka, tha se është dakord që në seancën e parë të Kuvendit të Shqipërisë Kryetarja e Kuvendi duhet të përfshijë në seancë “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”.
Por, Bushka shtoi se nuk ka pse të ketë një raport, por të veprohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë që kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gazment Bardhi, në një replikë me Bushkën, tha se çështja nuk është aq e thjeshtë saç mundohet ta paraqesë ligjvënësja socialiste. Bardhi theksoi se deputetët socialistë injoruan Kushtetutën dhe vendosën të mos zbatojnë vendimin e saj.
“Dhatë mesazhin më të gabuar, sepse vutë në diskutim zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ju dhatë mesazhin se nuk zbatoni vendime të drejtësisë nëse bien ndesh me interesat tuaja. Duhet të kishte një veprim nga drejtësia në këtë rast, pasi pengimi për të zbatuar një vendim gjyqësor është krim”, tha Bardhi.
“Nuk ka ndodhur asnjëherë kjo gjë, kemi një dispozitiv të Gjykatës Kushtetuese, pasi ju nuk pranoni të zbatoni vendimin. Për mbi dy vjet mbrojtët Olta Xhaçkën, shpërfillët vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, shtoi Bardhi.
Bardhi tha gjithashtu në mbledhje se pretendimi i mazhorancës që deputetët janë të lirë të votojnë si të duan, është antikushtetuese. Ai tha se deputetët nuk janë mbi Kushtetutën dhe ligjin.

Thirrja e Këshillit të Legjislacionit pa përfunduar ende pushimet e verës për deputetët jashtë sesioni u bë pas kërkesës së grupit parlamentar të partisë Demokratike.Mocioni ndaj ish-ministres u ndërmor nga opozita në qershor 2022 pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall investitor strategjik dhe iu dha me vendim qeverie e drejta e përdorimit të brigjeve të detit para hotelit. Edhe pse prona në fjalë është tashmë subjekt i Prokurorisë së Posaçme, kjo nuk i bën socialistët që ta lënë në dorë të drejtësisë mandatin e Xhaçkës. /ZËRI 
Burimi