“Mali Magjik“ i Tomas Manit. Një botë e pasigurtë

“Mali Magjik“ i Tomas Manit. Një botë e pasigurtë

Foto ilustruese

Dhomat janë komode, pamja është e mrekullueshme, ushqimi i shijshëm. Të mbështjellë në batanije leshi, pacientët e pasur kalojnë ditët me kura duke pushuar të shtrirë në ballkone. Mirësevini në “Berghof”, një sanatorium luksoz, larg në Alpet e Zvicrës, ku të sëmurët nga tuberkulozi shpresojnë të shërohen nga ajri i pastër. Ky është mjedisi, që Thomas Mann ka zgjedhur për romanin e tij “Mali Magjik”.
Historia fillon në vitin 1907. Djali i një tregtari nga Hamburgu, që do të bëhet inxhinier, Hans Castorp, shkon në Berghof për të vizituar kushëririn e tij të sëmurë. Në fillim ai dëshiron të qëndrojë vetëm tri javë, por në fund qëndron aty shtatë vjet. E çuditshmja është, se Hans Castorp vetë është në fakt i shëndoshë.
“Por jeta e sanatoriumit thjesht e përpin atë”, shpjegon kritiku i letërsisë Kai Sina për DW. “Pacientët, debati i tyre filozofik dhe zakonet e tyre, rutinat e rrepta sanitare, vaktet luksoze të ushqimit dhe obsesioni për të matur temperaturën. Ai bëhet pjesë e kësaj bote”.
Një epokë ndryshimesh radikale
Sanatoriumi krejtësisht i izoluar është një mikrokozmos, që zbulon krizën e një shoqërie në transformim. Kalimi në shekullin e 20-të është një periudhë përmbysjesh radikale. Industrializimi ka ndryshuar rrënjësisht jetën, dokrinat fetare po vihen gjithnjë e më shumë në pikëpyetje nga shkenca, lëvizjet nacionaliste dhe socialiste janë të dyja në rritje.
“Humbja e vlerave tradicionale dhe desorientimi shpien në tensione dhe agresione – edhe në grupin e famshëm në Berghof. “Ndjehej në ajër”, thuhet në roman. Hans Wißkirchen, president i Shoqatës Thomas Mann, e saktëson këtë ndjenjë: “Ndihet një ndjenjë e jashtëzakonshme shqetësimi, një frikë nga e ardhmja”, thotë ai për DW.
“Personeli ofendohet, njerëzit rrihen me njëri-tjetrin, shfaqen idetë më të çmendura, njerëzit me të vërtetë shkallojnë”.
“Irritim i madh”
Po të mos ishte gjuha arkaike, mund të mendoje se këtë vepër nuk e ka shkruar Tomas Man, por një autor bashkëkohor. Sepse «ky irritim i madh, pika kritike», siç e quan Caren Heuer, ndihet kudo edhe sot. «Mjafton të ndizni televizorin dhe të shihni një çfarëdo talk-show të dielën në mbrëmje», thotë drejtoresha e Shtëpisë Buddenbrook në Lübeck (ish-shtëpia e gjyshërve të Thomas Mannit, e quajtur sipas romanit të tij të famshëm, shën. i red.). «Atje do të shihni që njerëzit ndërpresin njëri-tjetrin, nuk e dëgjojnë njëri-tjetrin, rëndësi ka që të dalë mendimi i vet”.
Edhe personazhi kryesor i romanit të Thomas Mann, Hans Castorp, takon mbështetës fanatikë të ideologjive të ndryshme, të cilët debatojnë ashpër. Nga njëra anë është humanisti Lodovico Settembrini, nga ana tjetër jezuiti ultrareaksionar Leo Naphta. Në dialogët e tyre përplasen liberalizmi, besimi në progres dhe entuziazmi për një regjim totalitar si forma e vetme e duhur e shoqërisë. Të dy burrat kërkojnë ta fitojnë për vete Castorp-in, i cili luhatet mes ideve të tyre. Në fund ka një duel me armë mes dy rivalëve, ku Settembrini në vend që të qëllojë Naphta-n, gjuan qëllimisht në ajër, ndërsa Naphta nuk e duron dot këtë turp dhe qëllon veten nga zemërimi. Dhe me këtë nis vala e dhunës.
Nga simpatizues i luftës në mbështetës të demokracisë
Kur Thomas Mann shkruan „Malin Magjik”, ai ka para sysh kthesën e tij politike. Rreshtat e parë ai i hodhi në letër në vitin 1913, ndërsa veprën e përfundoi dymbëdhjetë vjet më vonë – ndërprerë ngaLufta e Parë Botërore. Ai e nisi librin si një përkrahës i bindur i luftës, thotë Kai Sina. “Thomas Mann u josh nga euforia e luftës, e cila në atë kohë kishte kapluar shumë intelektualë, artistë dhe shkrimtarë. Dhe në vitin 1918, kur lufta u humb, ai u gjet në një pozicion tërësisht të humbur”.
Që atëherë ai u bë një nga luftëtarët më të zëshëm kundër fashizmit.
“Ajo që më bën më shumë përshtypje te Thomas Mann”, thotë Sina, “është guximi i tij për të rishikuar veten, gatishmëria e tij e ndershme dhe e sinqertë për të testuar vazhdimisht pikëpamjet e tij. Dhe „Mali Magjik” pasqyron pikërisht këtë.”
Tensionet dhe rreziqet që do të çonin më vonë në rënien e Republikës së Vajmarit – përpjekja e parë e Gjermanisë për një demokraci të vërtetë parlamentare, e cila përfundoi me marrjen e pushtetit nga nazistët – e gjithë kjo gjen rezonancë këtu. Në vitin 1933 Thomas Mann largohet nga Gjermania me familjen e tij dhe vendoset në Zvicër. Nga viti 1938 deri në vitin 1952 jeton në SHBA, pastaj kthehet përsëri në Zvicër. Ai angazhohet për tolerancën dhe dinjitetin njerëzor, deri sa ndërroi jetë në vitin 1955.
Romani qe një “rastësi”
Është e vështirë të besosh, se autori fillimisht kishte ndërmend të shkruante vetëm një histori të shkurtër humoristike si paralele me novelën e tij “Vdekje në Venecia”. Ai zgjodhi sanatoriumin si mjedis, sepse vetë gruaja e tij Katia kaloi tri javë në një klinikë të tillë në vitin 1912 për shkak të një diagnoze tuberkulozi.
“Kjo është çmenduria e historive kaq të mëdha, për të cilat ne flasim ende edhe tani, dhe kur mendon, se ai ka ndjenjur me vite duke shkruar dhe menduar, si ta bëj këtë – e kjo të ishte një rastësi”, thotë Hans Wißkirchen, president i shoqatës Thomas Mann.
Aludimet homoseksuale dhe një “festë botërore e vdekjes”
Hans Castorp ka rënë në dashuri me rusen misterioze Claudia Chauchat, e cila i dhuron atij një natë të vetme dashurie. Ajo i kujton atij një shok të rinisë. Kritiku letrar Kai Sina e sheh këtë si një aludim të Thomas Mannit ndaj prirjeve të tij homoerotike.
“Çështja se çfarë është një burrë, çfarë është një grua, çfarë është mashkullore, çfarë është femërore dhe çfarë perceptohet si joshëse, si tërheqëse, tërheqëse erotike, e gjithë kjo bëhet e paqartë këtu”, thotë ai.
Për botën fituesi i mëvonshëm i çmimit Nobel të letërsisë ishte një qytetar heteroseksual i ndershëm me një grua dhe gjashtë fëmijë, dëshirën për meshkuj, nëse ndonjë çikë, i lejohej ta jetonte vetëm në fshehtësi dhe në librat e tij. Hans Castorp mund të shpresojë për shenja të tjera të simpatisë nga gruaja e bukur ruse, por kur shpërthen Lufta e Parë Botërore, pacientët largohen me nxitim nga Berghofi. Castorp bashkohet me një regjiment vullnetar; gjurmët e tij humbasin në fushën e betejës. Në fund të „Malit Magjik”, Thomas Mann pyet: A ka për të dalë një herë dashuria nga kjo festë botërore e vdekjes?
Romani është një sukses botëror, i përkthyer në 27 gjuhë. Isabel García Adánez e ka përshtatur „Malin Magjik” në spanjisht. Konkluzioni i saj: “Ka kaluar një shekull dhe ne jemi ende të njëjtë dhe i zgjidhim konfliktet me luftëra”.
Dhe në të njëjtën kohë ajo shton: “Fjala është për gjëra shumë serioze, por libri në vetvete është një përjetim i këndshëm. Dhe nuk është e nevojshme të kesh tri doktoratura për të pëlqyer Mannin, sepse Thomas Mann ka shumë ironi dhe shumë humor.
Për ato që stepen, kur mendojnë se do të lexojnë një libër prej 1000 faqesh, një këshillë e vogël: Përherë mund të kapërceni disa faqe, rrjedha e rrëfimit nuk ndërpritet./DW
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente