Lindita Nikolla i vë vulën: Mandati i Sali Berishës nuk preket!

Lindita Nikolla i vë vulën: Mandati i Sali Berishës nuk preket!

Sali Berisha

TIRANË- Sali Berisha do të vazhdojë të mbajë mandatin e tij si deputet i Partisë Demokratike. Lajmin e dha kryeparlamentarja Lindita Nikolla në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëvve, edhe pse Berisha ka mbushur 6 muaj që nuk është më pjesë e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë. Por mesa duket mungesa e tij është e arsyetuar, pasi mungon për shkak se Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka kërkuar GJKKO-së që ta vendosë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. 
Megjithatë, pavarësisht mungesës së tij, mandati i Sali Berishës nuk hiqet.
“Pas konsultimeve me ekspertë konatitucionalistë, mungesa e Berishës prej 6 muajsh ne Kuvend është me arsye. Jemi konsultuar me njohës të ligjit dhe Kushtetutës,”- mësohet të jetë shprehur Nikolla.
Pas mbledhjes, në një prononcim për mediat, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Ky i fundit madje para mediave të pranishme u shpreh se kësaj herë kryeparlamentarja Nikolla e lexoi qartë Kushtetutën. Por po ashtu kërkoi që kryedemokratit t’i rishikohet mundësia për të marrë pjesë në Kuvend. 
Gazment Bardhi: Sot Kryetarja e Kuvendit lexoi Kushtetutën sa i përket mandatit të kreut të opozitës, Sali Berisha. Strukturat ligjore të Kuvendit argumentuan se Sali Berishës nuk i ndërpritet mandati pasi mungesa e tij në Kuvend nuk është pa arsye. Kjo i jep fund debatit dhe spekulimeve të sponsorizuara nga segmente të maxhorancës. Ne kërkuam që zotit Berisha në përputhje me Kushtetutën ti krijohet mundësia që të ushtroj të plotë mandatin e deputetit duke marrë pjesë me seancat parlamentare dhe aktivitetet e tjera parlamentare. Kjo nuk është vetëm çështje individuale, por edhe çështje e Kuvendit. Kushtetuta nuk lejon pengimin e një deputeti për të ushtruar mandatin. Zoti Berisha nuk ka pengesë për të marrë pjesë në mbledhjet e PD-së.

Gjatë kësaj mungesë, e vetmja masë që është marrë ndaj tij është heqja e pagës si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Për muajin Prill në llogarinë e Berishës nuk ka kaluar asnjë vlerë monetare. Ndërkohë dhe në muajin Mars, Sali Berisha nuk ka marrë asnjë pagesë. Kjo vjen pasi Berisha nuk ka marrë pjesë na asnjë seancë plenare apo mbledhje të Komisioneve Parlamentare. Prej 30 dhjetorit 2023, Sali Berisha ndodhet në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, dhënë nga Gjykata e Posaçme, pasi refuzoi të respektonte masën më të lehtë të sigurisë të dhënë më herët nga GJKKO, atë të “Detyrimit të paraqitjes”. Berisha akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Po në “Arrest shtëpie”, ndodhet dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Ky i fundit akuzohet për “Korrupsion aktiv”, dhe “Pastrim parash”. Berisha dhe më herët ka kërkuar përjashtimin nga gjykimi të Irena Gjokës, por dhe leje për të shkuar në Kuvend, të dyja janë hedhur poshtë./ZËRI
Burimi