‘Lajmin na e dha një police, çoi SMS, telefonin e hodhi në WC’/ Dëshmia e Dumanit: Talo Çela ka marrë 600 mijë euro nga paratë e Rinasit
TIRANË- Paratë e grabitura në Rinas ende nuk janë zbuluar se ku janë fshehur, edhe pse tashmë ka disa të arrestuar për ngjarjen. Dje, ZËRI publikoi disa përgjime të shkëputura nga komunikimet e Talo Çelës në aplikacionin “SkyECC”, ku zbulohej se ku ishte destinacioni i kartëmonedhave të vjedhura.
Të tjera detaje janë zbardhur nga dëshmia e Nuredin Dumanit.
Sipas “OraNews”, Nuredin Dumani ka treguar se në ngjarjen e vitit 2018 në dijeni të tij kanë marrë pjesë Talo Çela, Altin Ndoci, vëllezerit Çala, Admir Murataj (i vetmi që mbeti i vdekur ditën e grabitjes), Dashnor Dumani (vetë vëllai i Nuredin Dumanit), Dorian Shkoza dhe personi me pseudonimin “Çalamani” nga Fushë – Kruja.
Nuredin Dumani ka treguar se gjatë një bisedë që ka bërë më të vëllain, Dashnorin, ky i fundit është shprehur se informacionin për kalimin e vlerave të parave e ka marrë Eldi Çala. “Informatore” për Çalën ishte bërë një vajzë e cila ishte punonjëse policie në Rinas. Identiteti i saj nuk është bërë me dije nga Dumani, duke e lënë të paqartë nëse i vëllai i ka treguar edhe emrin e polices që kishte treguar për paratë që do të kalonin në Rinas.
Vajza, përveçse u ka dhënë informacionin për kalimin, i ka zbuluar edhe ditën që do të bëhej ngarkimi i parave në bordin e avionit. Më pas, për të mos lënë asnjë shenjë, celularin e saj e ka hedhur në tualet. Po sipas Dumanit, Talo Çela i ka treguar se nga Rinas kanë marrë diku 6 ose 7 çanta me lekë, ku 200 mijë euro ia kanë dhënë Çalamanit nga Fushë Kruja. Ky i fundit i ka fshehur paratë në banesën e tij.
Vetë Dashnor Dumani ka marrë 30 mijë euro, ndërsa Talo Çela 600 mijë euro.
Asokohe vetë Dumani ka qenë në një burg të Francës, madje ka përdorur ngjarjen për të kërkuar azil me pretendimin se në vendin e tij, Shqipëri, i rrezikohet jeta. Siç duket Dumani e parashikoi atë që do të pasonte, pasi në dokumentat e tij për azil, pretendonte se për ndarjen e parave të grabitjes do të kishte përplasje dhe vrasje. Kërkesa iu rrëzua nga autoritetet franceze, por “profetësia” iu plotësua./ZËRI
Burimi