Kushtetuesja pranon padinë e PD për ligjin për Akademinë e Shkencave

Kushtetuesja pranon padinë e PD për ligjin për Akademinë e Shkencave

Ina Zhupa

TIRANË-Gjykata Kushtetuese ka pranuar padinë e depozituar nga Partia Demokratike për ligjin për Akademinë e Shkencave. Lajmin e bëri të ditur deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa e cila u shpreh në rrjetet sociale se Gjykata do zhvillojë seancë plenare publike, pasi palët ftohen të dërgojnë parashtrimet e tyre brenda datës 14 korrik.
‘Pranohet padia nga Gjykata Kushtetuese për shqyrtimin e ligjit antikushtetues për Akademinë e Shkencave. Gjykata do zhvilloj seanca plenare publike, pasi palët ftohen të dërgojnë parashtrimet e tyre brenda datës 14 Korrik 2024. Një ligj i miratuar në shkelje të plotë të procedurave parlamentare duke nëpërkëmbur pushtetin legjislativ dhe duke shkelur kushtetutën e vendit që konsideron me efekt NUL ato vendimarrje të kuvendit qe janë marr pa ndjekur procedurën. Gjithashtu ligji nuk respekton akademikët sepse nuk garanton barazinë e tyre para ligjit. Ose të gjithë akademikët mbi 75 vjec mund të zgjidhen ose asnjëri. Ose të gjithë akademikët mbi 75 vjec bëhen emeritus ose asnjëri. Nuk mundet të ketë përcaktime ligjore “të gjithë përvec njërit” pikërisht kryetarit për të cilin qepet ligji me porosi,”-shkruan deputetja në postimin e saj.

Padia u dorëzua nga deputetja Ina Zhupa, e cila u shpreh se në ligj janë evidentuar shkelje proceduriale dhe përmbajtjesore, që sipas saj garantojnë “vetëm futjen e hundës së politikës në Akademinë e Shkencave”. Ajo u shpreh se “ky ligj u bë që grupe të caktuara brenda PS, të përfaqësuar nga deputetë të caktuar Koçi dhe Beqiraj, mbasi të mbarojnë karrierën aktive si deputetë në Kuvend, të kalojnë në një pension luksi në Akademi”./ZËRI
Burimi