Kush është Attila Kovacs, Anëtar i Bordit në OTP Albania, BSH e paralajmëroi pas skandalit të overdrafteve
Attila Kovacs
TIRANË- Attila Kovacs, Drejtor i Divizionit Financiar (Zyrtar Kryesor Financiar) dhe Anëtar i Bordit Drejtues në OTP Bank Albania është një emër që ka marrë paralajmërim me shkrim nga Banka e Shqipërisë pas skandalit me overdraftet. Në shkresën e publikuar nga ZËRI, bëhet me dije se Bnaka e Shqipërisë ka vendosur:
1. Lëshimin e urdhrit për ndërprerjen e veprimeve në kundërvajtje;
2. Dhënien e vërejtjes me paralajmërim me shkrim për Menaxherin e Divizionit të Financës, z. Attila Kovacs1 ;
3. Vendosjen e gjobës në masën 0.8 milionë lekë për Menaxherin e Divizionit të Riskut, z. Gabor Jandacsik;
4. Lëshimin e urdhrit për anulimin e overdrafteve të hapura pa miratimin e klientit, për të gjithë klientët me kartë krediti të mbyllur/skaduar/ pa marrë në dorëzim, përshirë çlirimin e klientit nga këto detyrime, si dhe sistemimin e statusit përkatës në Regjistrin e Kredive, brenda një afati 3-mujor;
5. Provigjonimin në masën 100% të balancave të llogarive pezull, të akumuluara deri në datën e këtij vendimi, deri në sistemimin e plotë të tyre;
Kush është Attila Kovacs?
Nga të dhënat e afishuara në faqen zyrtare të OTP Albania shkruhet se Attila Kovacs, një shtetas hungarez, ka një diplomë master në Financë dhe Menaxhimin e Informacionit nga Universiteti i Shkencave Ekonomike Corvinus (2003) dhe një diplomë të përbashkët MBA në Administrim Biznesi nga Mastriht School of Management dhe SEED Hungary (2018).
Ai e filloi karrierën e tij në vitin 2003 si ekspert i BI-së në OTP Bank në Hungari dhe ka mbajtur pozicione të ndryshme menaxheriale në financë brenda Divizionit të Strategjisë dhe Financave, si dhe në M&A brenda Divizionit të Bankës së Korporatave. Nga viti 2009 deri në vitin 2016, ai shërbeu si Shef i Departamentit të Konsolidimit të Planifikimit dhe në vitin 2016, ai u emërua Shef i Departamentit Hungarez të Strategjisë, Planifikimit dhe Kontrollit. Në vitin 2019, ai iu bashkua ekipit të M&A dhe ishte përgjegjës për ekzekutimin e aktiviteteve të blerjes në OTP Group. Në vitin 2022, Attila Kovacs u emërua si Kryetar i Bordit Mbikëqyrës në PortfoLion Capital Partners, krahu i kapitalit sipërmarrës të OTP Group. Në korrik 2023, ai iu bashkua Bankës si Drejtor i Divizionit Financiar (Zyrtar Kryesor Financiar) dhe u bë Anëtar i Bordit Drejtues në OTP Bank Albania.
Cila ishte skema që u përdor:
Konkretisht, Banka “OTP Albania”, kartat e kreditit të klientëve të ish-Bankës Alpha, pas ndryshimit të procesorit të kartave dhe bashkimit me përthithje, i ka hapur në formën e overdraft-it me datë hapje gusht 2023 dhe me balancë debitore që përbehet nga komisione të disa viteve të shkuara, për të cilat klienti nuk ka qenë në dijeni dhe nuk janë raportuar si detyrim nga ish-Banka Alpha.
Këtu përfshihen edhe karta krediti të mbyllura, me status “5” në Regjistrin e Kredive, si dhe karta të skaduara. Këtyre klientëve u janë ngarkuar në vijim komisione të tjera shtesë nga sistemi i Bankës OTP.
Rrjedhimisht, detyrimet e këtyre kartave të kreditit shfaqen si overdrafte me tepricë debitore dhe të klasifikuara si kredi me problem, gjë për të cilën klientët nuk kanë pasur dijeni.