Kush do vritej dhe kush e ngriti pritën/ Policia e Shkodrës fsheh emrat e personave që u përplasën me armë në Vaun e Dejës

Kush do vritej dhe kush e ngriti pritën/ Policia e Shkodrës fsheh emrat e personave që u përplasën me armë në Vaun e Dejës

Audi i blinduar

SHKODËR- Në harkun kohor të më pak se një jave, krimi është rindezur fuqishëm në Shkodër, me dy ngjarje të rënda kriminale që kanë ndodhur të hënën dhe të premten. Fillimisht ndodhi vrasja e dyfishtë në Velipojë, ku policisë i mbeti të mblidhte trupat e dy të rinjve, dhe më pas një atentat i dështuar që ndodhi të premten në zonën e Vaut të Dejës, ku mes dy grupeve ka pasur përplasje me armë.
Çfarë ndodhi mbrëmjen e djeshme në Vaun e Dejës?
Rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme një përplasje me armë ndodhi në zonën e Vaut të Dejës, ku shënjestër ishte një mjet “Audi” i blinduar. Personat që ishin në makinë, e braktisën mjetin, ndërkohë që në vendin e ngjarjes u gjetën rreth 30 gëzhoja, të nxjerra nga armë të ndryshme, që për hetuesit dha menjëherë pistën se mes dy grupeve kishte pasur shkëmbim zjarri. Po ashtu në mjetin audi, u gjetën gjurmë plumbash, njësoj si dhe një një mjet BMW, i cili u lokalizua po ashtu i braktisur nga policia. Të dyja palët që ndodheshin në mjete të ndryshme kishin mundur që të arratiseshin nga vendngjarja, ndërsa zyrtarisht nuk dihet nëse ka persona të lënduar si pasojë e breshërisë së armëve.
Pse policia doli me dy versione?
Fillimisht për të shtënat me armë në Vaun e Dejës, policia përmes burimeve dhe te gazetarët lokalë, dha lajmin se kishte identifikuar personat që kishin qëlluar në drejtim të mjetit të blinduar. Sipas këtyre informacioneve, ata ishin dy vëllezër me mbiemër Prendi banues në fshatin Rranxa, dhe një bashkëpunëtor i tyre. Këta persona iu kanë bërë pritë dy shtetasve që udhëtonin me mjetin Audi, me të cilët dyshohet se kanë pasur një konflikt të mëparshëm. Policia ka ushtruar kontroll në banesën e vëllezërve Prendi në Rranxa por nuk i kanë gjetur aty dhe është bërë shpallja e tyre në kërkim.
Personat e ndodhur në automjetin tip Audi dyshohet se janë larguar me një makinë tjetër, e cila ishte në mbështetje të tyre. Policia ka mbledhur kamerat e sigurisë në zonën përreth duke bërë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar dhe sekuestrimin e automjetit tip BMW.
Ndërkohë që në njoftimin zyrtar në lidhje me përplasjen e armatosur, policia tha se i kishte identifikuar të dyja palët e përfshira në konflikt, dhe se për arsye hetimesh nuk mund të bënte me dije gjeneralitetet e tyre. Po ashtu në njoftimin e policisë mbetet e paqartë dinamika e ngjarjes, dhe nga sa armë është qëlluar, për të kuptuar edhe numrin e personave të përfshirë në konflikt.
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISË
Në vijim të hetimeve intensive të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Renda i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë për zbardhjen e ngjarjes se ndodhur në fshatin Rrenxë të Vau të Dejës, është bërë e mundur identifikimi i palëve të përfshira dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon hetimet e thelluara për dokumentimin e  plotë ligjor të këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasja me paramendin” e mbetur në tentative, kryer në bashkëpunim  dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. /ZËRI 
Burimi