‘Kurum’/ Prokuroria e Durrësit merr mostra, do analizohen në laboratorë. A kanë lidhje me konteinerët e Tajlandës?
Kurum
DURRËS- Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar kampionë mbetjesh në mjediset e kompanisë “Kurum” në Elbasan. Pikërisht këto mostra do të krahasohen për të zbuluar nëse janë të njëjtat me përmbajtjet e konteinerëve që ishin nisur me dy anije të ndryshme drejt Tajlandës dhe që aktualisht po kthehen pas në vendin tonë. Tamponët e marrë nga hetuesit në Elbasan do të dërkohen edhe në laboratorë për të zbuluar më shumë lidhur me përmbajtjen e tyre dhe për të zbuluar nëse janë lëndë toksike.
Megjithatë ende nuk është vendosur nëse analizat do të kryehen në Shqipëri, apo në laboratorë jashtë vendit. Në kuadër të hetimeve do të merren në pyetje edhe drejtues të kompanisë, zyrtarë të Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyre por edhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit.
Por ç’ka ndodhur me Kurum dhe si lidhet me konteinerët e Tajlandës?
Dy dërgesa që besohet se përmbajnë mbetje toksike të padeklaruara zbarkuan në portet e Singaporit më 18 dhe 24 Gusht. Të dyja këto ngarkesa tashmë kanë marrë rrugën e kthimit për në Shqipëri. Mediat e Singaporit shkruajnë se ngarkesa me origjinë nga Shqipëria, për të cilën një mbikëqyrës i mbetjeve të rrezikshme tha se përmban pluhur toksik të furrës së çelikut, u largua nga vendi për në Itali në korrik.
Udhëtimi i kontejnerëve të dyshuar ka vënë alarmin në shumë vende që kur u ngarkuan në portin shqiptar të Durrësit në korrik, me destinacion përfundimtar Tajlandën e planifikuar për në fund të këtij muaji. Bëhet fjalë për një ngarkesë 1600 tonë mbetje toksike të ngarkuara në Shqipëri. Tajlanda refuzoi të pranonte dërgesën pasi u njoftua për përmbajtjen e saj të rrezikshme nga grupet mjedisore. Pluhuri i furrës, i cili kërkon trajtim, është një produkt mbetjesh i rrezikshëm që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin. Autoritetet tajlandeze dhe rrjeti i Bazelit kanë konfirmuar zyrtarisht se Shqipëria nuk ka autorizuar zyrtarisht eksport mbetjesh. Ndërkohë çështja është në hetim nga Prokuroria e Durrësit, që po verifikon dokumentacionin e plotë dhe autorët e shkeljes së rëndë./ZËRI
Burimi