Kufizimi i TikTok dhe Snapchat, Rama: Nuk është zgjidhja, por mediat sociale krijojnë varësi si droga

Kufizimi i TikTok dhe Snapchat, Rama: Nuk është zgjidhja, por mediat sociale krijojnë varësi si droga

Edi Rama

FIER- Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me prindërit në Fier tha se do të kufizojë ose mbyllë rrjetet sociale TikTok ose Snapchat. Rama tha se këto rrjete sociale po shqetësojnë prindërit, pasi fëmijët shpenzojnë kohë aty. Kryeministri theksoi se mbyllja e TikTok dhe Snapchat nuk është zgjidhje, por është nje element drejt sigurisë së të miturve. Ai tha se të miturit nuk i kuptojnë pasojat e përdorimit të tyre, por këto platforma i stimulojnë në mënyrë kriminale.
“Këto janë platforma që nuk kanë dallime nëse je fëmijë apo i rritur dhe një fëmijë që nuk është mjaftueshmërisht i ndërgjegjshëm për të ndarë të mirën nga e keqja, për të kuptuar pasojat e njërës apo tjetrës, këto platforma e stimulojnë në mënyrë kriminale. Ne jemi në kushtet e një bote që krijon të njëjtën varësi siç krijojnë drogat. Ndalimi i TikTok dhe Snapchat nuk është zgjidhja, por është një nga shumë elementët e zgjidhjes, sepse asgjë nga këto nuk e heq dot përgjegjësinë dhe peshën që ka ndërveprimi mes të rriturve në familje dhe fëmijëve. Pastaj ndërveprimi mes familjes dhe shkollës dhe mes shkollës dhe familjes, dhe rruga nga shkolla në shtëpi dhe nga shtëpia në shkollë, që janë të gjitha këto që kanë rëndësi”, tha Rama.
Po ashtu, ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu foli për masat e marra për sigurinë në shkolla. Ajo tha se oficeri i sigurisë, punonjësi social dhe psikologu janë pjesë kryesore e paketës së sigurisë. Më tej, Manastirliu tha se duhet të merret parasysh edhe integrimi i teknologjisë dhe platformave online.
“Oficeri i sigurisë në shkollë, punonjësi social dhe psikologu tashmë përbëjnë një bërthamë thelbësore në sistemin e sigurisë në strukturat tona arsimore. Fokusi ynë është në zgjerimin e shkollave që i kanë këto shërbime. Përditësimi i protokolleve të punës është një tjetër masë, e cila periodikisht është pjesë e punës sonë, por tashmë e parë edhe në këndvështrimin e integrimit të teknologjisë dhe platformave online, për t’i orientuar drejt raportimit proaktiv”, shtoi Manastirliu. /ZËRI
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente