![Ku gaboi Gentjan Bejtja? Si u kthye nga mik në armik të betuar të fisit Bami, Valteri: Ditën që u vra isha në avion për në Dubai](https://lajmidites.com/wp-content/uploads/thumbnails/2024/09/ku-gaboi-gentjan-bejtja-si-u-kthye-nga-mik-ne-armik-te-betuar-te-fisit-bami-valteri-diten-qe-u-vra-isha-ne-avion-per-ne-dubai_66d57bb6938c6.png-730x440-lajmidites.com.webp)
Ku gaboi Gentjan Bejtja? Si u kthye nga mik në armik të betuar të fisit Bami, Valteri: Ditën që u vra isha në avion për në Dubai
Valter Bami dhe Gentjan Bejtja
TIRANË- Vrasja e Gentjan Bejtjas ishte kthyer një ndër detyrat kryesore për grupin kriminal që vepron në Nikël, ku pas dy tentativa të dështuara në vitin 2022 dhe 2023, ekzekutimi i Bejtjas është arritur të kryhet në shtëpinë e tij, në 15 Mars 2024.
Para se të vritej, Bejtja bënte një jetë mes Larushkut, Lezhës, Shëngjinit, ku qëndronte i strehuar në bazat e fshehta të ish-deputetit të PS Arben Ndoka dhe biznesmenit të basteve sportive, Ervis Martinaj.
Në dosjen hetimore të siguruar nga gazetari i “Ora News” Elton Qyno qartësohet se disa vite më parë viktima, Gentjan Bejtja dhe vëllezërit Durim dhe Valter Bami, ishin shumë miq me njëri-tjetrin.
Por mesa duket intrigat kriminale kanë prishur këtë shoqëri të vjetër, duke sjellë që Gentjan Bejtja të hidhet në krahun e Ervis Martinajt dhe Arben Ndokës, dy kundërshtarëve të vëllezërve Bami dhe Marklen Hakës.
Haka dhe Bamët, kanë dyshuar se njeriu që informonte mbi lëvizjet e vëllezërve Bami, dhe mbante makinat në Larushk në gadishmëri për të kryer vrasjet ishte pikërisht Gentjan Bejtja, person ky që njihte mirë çdo rrugicë në zonën e Niklës dhe Fushë-Krujës.
Ndaj ai ishte kthyer në personin kryesor për t’u eliminuar. Pas kryerjes së vrasjes, policia dhe prokuroria ka marrë në pyetje dhe Valter Bamin, vëllanë e Durim Bamit në Nikël.
Valteri kishte vetëm dy ditë sa kishte dalë nga burgu, pasi ishte arrestuar si person i dyshuar në atentatin e dytë kundër Bejtjas, në të cilin mbeti i vrarë kunati i tij Ramazan Sino dhe u plagosën dy fëmijët.
Në momentin e vrasjes Valter Bami, ndodhej në avion drejt Dubait, ndërsa pas vrasjes ai është kthyer në Shqipëri, duke u paraqitur vullnetarisht në policinë e Tiranës, duke dhënë shpjegime për ngjarjen e rëndë.
I pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të hetimit Valter Bami ka deklaruar se në 15 mars 2024, është larguar nga Shqipëria për në Kosovë dhe më pas ka udhëtuar me avion për në qytetin e Dubait, në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ka qëndruar së bashku me vëllanë e tij, Durim Bami.
Në lidhje me ngjarjen ka shpjeguar se më 15 mars 2024, ka qenë në qytetin e Dubait dhe për ngjarjen është informuar nga bashkëshortja e tij, e cila e ka njoftuar se në banesën e tij kishte shkuar policia dhe po e kërkonte për deklarim.
Lidhur me këtë ngjarje është marrë në pyetje dhe Edison Bami, kushëriri i dy vëllezërve Bami në Nikël. Ai ka shpjeguar se është banor i qytetit Fushë-Krujë ku ka banesën e tij, por që herë pas herë qëndron edhe në Nikël në banesat e kushërinjve të tij Durim e Valter Bami.
Në lidhje me ngjarjen, ku në fshatin Larushk, Krujë në banesën e tij është vrarë Gentian Bejtja, Bami ka shpjeguar se kur ka ndodhur ngjarja ka qenë në lokalin që administron në fshatin Verjon, Krujë.
Lajmin për vrasjen e Gentjan Bejtjas e ka marrë nëpërmjet mediave vizive dhe konkretisht gjatë kohës që ka qenë në lokal.
I pyetur nëse e njeh Gentjan Bejtjan, ai deklaron se e njeh pasi në të shkuarën ai ka qenë shok me kushërinjtë e tij, Durim e Valter Bami, por që me Gentianin, nuk ka ndonjë miqësi apo konflikte dhe prej vitesh nuk është takuar me këtë shtetas.
Gentjan Bejtja u ekzekutua pasditen e 15 marsit brenda oborrit të banesës së Larushk. Autorët dyshohen të kenë qenë katër, tre kanë marrë pjesë në sulm ndërsa tjetri i ka pritur në makinë. Mbi Bejtjan janë qëlluar 50 plumba, 30 prej të cilëve kanë rezultuar fatal dhe e kanë prekur në fytyrë e trup duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Bejtja dyshohet se kishte dijeni edhe për shumë krime të tjera që kishin ndodhur në harkun kohor të 10 viteve të fundit, ku në mos ishte drejtpërdrejt i implikuar, të paktën kishte dijeni apo besohej se kishte tradhtuar, ata që deri dje u shërbente. Ai është dyshuar si i përfshirë në disa atentate, si personi që ka nxjerrë në pritë viktimat, informator apo ndihmës i ekzekutorëve.
42-vjeçari Bejtja u kishte shpëtuar deri më tani 3 atentateve. Më datë 4 Korrik të vitit 2023, atij iu bë një atentat jashtë ambienteve të banesës, ku mbeti i vrarë kunati i tij Ramazan Sino, 29 vjeç dhe u plagosën Bejtja si dhe dy djemtë e këtij të fundit, 10 dhe 13 vjeç. Për ngjarjen, policia dyshoi tek Valter Bami, megjithatë ndaj këtij të fundit u ngrit vetëm akuza e armëmbajtjes pa leje. Bami qëndroi në qeli nën masën e arrestit me burg për 6 muaj. Më 18 Janar 2024, u la i lirë me arrest shtëpie nga Gjykata e Tiranës, për shkak të skadimit të afateve hetimore.
Më 9 Janar të vitit 2022, Gentian Bejtja i shpëtoi një tjetër atentati në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, ndërsa mbeti i plagosur miku i tij 31-vjeçar Klodian Stafuka. Të dy ishin në një automjet kur u qëlluan me armë zjarri. Ngjarja mbetet e pazbardhur. Gentian Bejtja i shpëtoi po ashtu dhe një atentati me eksploziv të ndodhur në Shtator të vitit 2016, kur në mjetit e tij një sasi eksplozivi shpërtheu dhe e plagosi atë./ZËRI
Burimi