Kontakti i fundit i Ervis Martinajt, kush është Astrit Avdylaj, kreu i bandës së Shijakut që doli në përgjimet e dosjes “339”

Kontakti i fundit i Ervis Martinajt, kush është Astrit Avdylaj, kreu i bandës së Shijakut që doli në përgjimet e dosjes “339”

Astrit Avdylaj

TIRANË- Astrit Avdylaj, kreu i bandës së Shijakut që u vu sot në pranga do të japë llogari përpara autoriteteve pasi akuzohet se ka pasur rolin e siguruesit të personave që do të kryenin vrasjen e Valter dhe Durim Bamit.
Në bisedat e zbardhura e të publikuara vetëm një muaj më parë, Astrit Avdylaj rezulton se ka pasur komunikime dhe aleancë të ngushtë me grupin e ish-deputetit të Partisë Socialiste Arben Ndoka dhe ish-bosin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj, i cili është zhdukur pa gjurmë që në 9 gusht të vitit 2022.  
Grupi kriminal i Martinajt ishte në aleancë të ngushtë me grupin e Lezhës, atë të drejtuar nga ish deputeti i PS-së Arben Ndoka. Martinaj dhe Ndoka i kishin hapur luftë Durim Bami dhe nga bisedat rezulton se kanë kërkuar ndihmën e Avdylajve. Emiljano Shullazi dhe Astrit Avdylaj, edhe pse në atë kohë ndodheshin pas hekurave, e ndihmonin Martinajn dhe Ndokën.
Por kush është Astrit Avdylaj?
Familja Avdylaj kanë vepruar gjithmonë në heshtje, me ose pa mbështetjen e autoriteteve e politikanëve që zgjidheshin në zonën ku jetonin, ata nuk ishin përmendur deri në vitin 2018, kur u vunë në pranga gjatë operacionit “Volvo 4” për laboratorin e kokainës që u gjet në Has.
Astrit dhe Altin Avdylaj, i njohur ndryshme si “Niçja i Shijakut” ishin protagonistët e përgjimeve në dosjen “339” që u publikuan nga Bild dhe që nxorrën zbuluar përfshirjen e grupeve kriminale në shitblerjen e votave si dhe afrimitetin e tyre me ish-kryebashkiakun e Durësit, Vangjush Dako.
Ashtu si herët e tjera, edhe këtë radhë, dyshja lanë qelinë për tejkalim të afateve të paraburgimit dhe hetimi vijoi në gjendje të lirë.
Në vitin 2020, Operacioni Forca e Ligjit trokiti në derën e Avdylajve për justifikimin e pasurisë së tyre.
Zhdukja e të shumëkërkuarit dhe të njohurit ndryshme dhe si bosi i lojërave të fatit, Ervis Martinaj, e riktheu edhe njëherë në media dhe përballë autoriteteve emrin e Astrit Avdylajt. Ky i fundit u lakua si kontakti i fundit i Martinajt, para se të zhdukej pa gjurmë më 9 gusht të vitit 2022.
Dy muaj pas zhdukjes së Martinajt, ndërkoh që fati i tij ishte mister, policia kreu disa kontrolle në disa zona të Shqipërisë ku operojnë grupe të ndryshme kriminale. Mes tyre, ishin edhe Avdylajt. Forcat Speciale dhe rrethuan zonën ku jetojnë Avdylajt dhe kryen kontrolle në banesat e tyre, me shpresën se do të gjenin gjurmë të të zhdukurit.
Astrit Avdylaj u mor dhe në pyetje nga prokuroria e Kurbinit si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit, por ka mohuar që të ketë dijeni për fatin e Martinajt apo të ketë pasur kontakte me të.
Dy vite më vonë, Astrit Avdylaj është vënë sërish në pranga. Këtë herë për sigurimin e personave që do të kryenin vrasjen e Valter dhe Durim Bamit.
Burimi