Kolegji i Europës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit tender rreth 17 mln euro për lotin e parë të projektit
Projektii per kolegjin e europes ne tirane
TIRANË- Projekti i Kolegjit të Europës ka avancuar një fazë më tej pas deklaratave të përfaqësuesve të qeverisë.
Këtë të enjte Fondi Shqiptar i Zhvillimit njoftoi për hapjen e procedurës me objekt kontrate “Ngritja e infrastrukturës arsimore te Kolegjit te Europes, Loti 1- Infrastruktura” me një fond limit 1.69 miliardë lekë apo rreth 17 milionë euro.
Vendndodhja e projektit do të jetë në hapësirën përballë fakultetit ekonomik ku është i vendosur terminali në afërsi me Qytetin Studenti. Referuar raportit teknik hartua nga Atelier 4, terreni i saktë i pronës shtrihet në kryqëzim të rrugës “Arben Broci “ dhe rrugës “Gramoz Pashko”, Tiranë. Relievi nuk ka pjerrësi.
“Kolegji Europian në Tiranë do të jetë një objekt që do t’i shërbejë jo vetëm arsimit, por edhe publikut. Në fokus të këtij projekti qëndrojnë studentët të cilët do të jetojnë, ndërveprojnë dhe formësohen së bashku në ambientet e përbashkëta dedikuar atyre, duke përfituar një përvojë të vërtetë multikulturore dhe do të jenë të përgatitur për të dhënë një kontribut ndërkombëtar.
Trualli në të cilin do të zhvillohet objekti zë një sipërfaqe prej 8 850 m2. Objekti që parashikohet të ndërtohet mbi të do të jetë një Strukturë e organizuar në 3 volume kryesore me 6 dhe 8 kate, të ndara sipas funksioneve, si dhe në një kat përdhe të përbashkët për të gjitha volumet së bashku me ‘agora’ – në qendrore. Objekti parashikohet të ketë 3 kate nëntokë që do të kenë funksion kryesor parkimin. Kampusi parashikon një sipërfaqe ndërtimi mbi tokë prej 12 293 m2 dhe 22 229 m2 nën tokë” thuhet në dokument.
Sipas të njëjtit koncepti i kampusit të Kolegjit përfaqëson jo vetëm një hapësirë universitare, por një kompleks territorial me një profil shumëfunksional, i cili nga pikëpamja arkitekturore do të ofrojë një model të ri në integrimin e institucioneve arsimore në mjedis, si dhe infrastrukturën e nevojshme për jetesë dhe edukim cilësor.
Koncepti Arkitektonik
“Koncepti i propozuar volumor ka në thelb 3 volume kryesore të cilat u shërbejnë funksioneve të tyre specifike. Tre volumet lidhen në bazën e tyre duke formuar një hapësirë qendrore shume funksionalë që do t’i shërbejë jo vetëm Kolegjit, por edhe gjithë “Qytetit Studenti” si dhe zonës përreth.
Baza që lidh të treja volumet është lehtësisht e aksesueshme përgjatë perimetrit të saj në formën e një kolonade që bën një ndarje gjysmë transparente mes kampusit dhe kontekstit në të cilin pozicionohet objekti. Në brendësi të konturit që përcakton kolonada strehohen funksione të ndryshme me karakter publik.
Kjo bazë që përbën katin përdhe do të shërbejë edhe si një mbulesë për t’u mbrojtur nga dielli e shiu në mënyrë që të sigurojë mirëfunksionimin e kampusit gjatë gjithë vitit, si dhe do të shërbejë në të njëjtën kohë si një tarracë gjelbëruar e cila jep imazhin e një zgjatimi të parkut sportiv në krah të tij.
Në qendër të bazës pozicionohet pika e takimit për të tre volumet, që do të jetë edhe elementi kryesor në programin hapësinor të kampusit.
Ky element evokon qendrën e vendit edhe nga pikëpamja e imazhit duke u shfaqur si një agora e cili do të strehojë një auditor për leksione universitare, adresime diplomatike, por edhe shfaqje artistike.
Zgjedhja e ngjyrave, materialeve dhe trajtimit të fasadave është bërë si një konkluzion i analizave mbi peizazhin arkitekturor të Tiranës, historisë, kulturës shqiptare, flamurit shqiptar dhe ideologjisë së Kolegjit të Evropës. Pjesë e interiereve dhe eksteriereve të volumit janë gjithashtu përdorimi i muraleve si simbol i Tiranës pas viteve 2000’” thuhet në relacion./Monitor
Burimi