‘Kokainë e pastër’, kapet sasi e madhe droge në Itali, pranga shqiptarit. Kontrollet që e fundosën
Kokaina e sekuestruar
ITALI- Një sasi prej më shumë se 80 kilogramë kokainë e pastër, e destinuar për t’u shitur në veri të Italisë, është sekuestruar nga policia e Torinos. Një 52-vjeçar me kombësi shqiptare u arrestua pasi iu gjet lënda narkotike për t’u shitur në Lombardi dhe Piemonte.
Burri u ndalua në Brignano Gera d’Adda në provincën e Bergamos, ndërsa ishte në makinën e tij. Ai është shfaqur i shqetësuar gjatë kontrolleve të policisë, në makinën ku iu gjet një pjesë e drogës.
Kërkimi u zhvendos më pas në shtëpinë e tij: 74 pako kokaine, me një peshë totale mbi 80 kg, ishin fshehur brenda dy makinave të burrit, të pajisura me dysheme të posaçme të dyfishta. Makinat u gjetën të parkuara brenda garazheve të vendosura në pallatin ku ai jetonte. Gjatë kontrolleve në banesën e shqiptarit u gjetën dhe rreth 35 mijë euro, që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm. Droga e gjetur, nëse do të shitej në tregun e pakicës, do të kapte një vlerë prej 8 milionë eurosh.
Burri akuzohet për trafik të paligjshëm dhe mbajtje të lëndëve narkotike ose psikotrope, me rrethanë rënduese sasinë e madhe./ZËRI
Burimi