Kishin ngritur rrjet prostitucioni, arrestohet duke u larguar nga Rinasi tutorja kineze
Foto ilustruese
TIRANË- Një 38-vjeçare kineze, e cila kishte ngritur një rrjet prostitucioni në Tiranë, është arrestuar duke u larguar nga aeroporti i Rinasit. Dy ditë më parë policia e Tiranës, zbuloi një rast ku dy shtetase kineze rekrutonin vajza nga Kina dhe Filipinet përmes rrjeteve sociale, dhe më pas i shfrytëzonin, në një banesë që kishin përshtatur në kryeqytet.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se dy autoret e dyshuara, nëpërmjet rrjeteve sociale rekrutonin shtetase kineze dhe filipineze, të cilat i akomodonin në një ambient të marrë me qira të përshtatur për shfrytëzim prostitucioni dhe më pas duke përdorur faqen “Escort Tirana” i shfrytëzonin për prostitucion. Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga ky aktivitet kriminal, dy autoret e dyshuara me anë të fotove të publikuara në faqen “Escort Tirana”, ushtronin dhunë ndaj tyre dhe presion ndaj familjarëve të vajzave të rekturuara.
Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se njëra nga shtetaset kineze, me anë të shtrëngimit me anë të kanosjes, duke i bërë presion me anë të fotografive, ka marrë shumën 15 000 euro, nga njëra nga vajzat e shfrytëzuara, pasi kjo e fundit ka kërkuar të heqë dorë nga ky aktivitet kriminal.
NJOFTIMI I POLICISË
Vijon operacioni policor i koduar “Red Light 2”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Rinas. Arrestohet një 38-vjeçare, shtetase kineze, e implikuar në veprimtarinë kriminale të shfrytëzimit të prostitucionit.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe ato të Komisariatit të Policisë Rinas, në zbatim të planit të masave të përbashkët për goditjen e krimeve kufitare, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se në pkk Rinas, do të kalonte një shtetase në kërkim, për shfrytëzim prostitucioni, kanë vijuar operacionin policor të koduar “Red light 2”.
Si rezultat i tij u ndalua shtetasja kineze N. D., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, e shpallur në kërkim për veprat penale “Shfrytëzimi prostiucionit”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, dhe “Dëmtime te tjera me dashje”, parashikuar nga nenet 114, 115, 109-b, 90 të Kodit Penal.
38-vjeçarja së bashku me shtetasen Y. Y., 52 vjeçe (arrestuar më parë gjatë operacionit), dyshohet se rekrutonin shtetase kineze dhe filipineze të cilat më pas i shfrytëzonin për prostitucion. Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga ky aktivitet kriminal, dy shtetaset e arrestuara, me anë të fotove të publikuara në faqen “Escort Tirana”, ushtronin dhunë ndaj tyre dhe presion ndaj familjarëve të vajzave të rekturuara. Materialet i kaluan Prokurorisë.
Burimi